Shpesh në instagram më pyesin, si t’i bëjmë fëmijët të lexojnë sa më tepër? Dhe së fundmi më erdhi edhe një pyetje e drejpërdrejtë, shpotitëse: “Si ja ke dalë t’i bësh fëmijët e tu të lexojnë kaq shumë libra kur ndodhemi në epokën e tabletave dhe telefonëve celularë?”
Sot nuk jam këtu për t’ju thënë se çfarë duhet apo nuk duhet bërë por do t’ju tregoj se si veprojmë ne në familjen tonë dhe se si ndodh që fëmjët e mi janë libërdashës, i duan vërtetë shumë librat dhe lexojnë si të çmendur.
Ndërsa i lexojmë një fëmije ne përmbushim nevojat e tyre emocionale, çfarë nuk mund ta bëjë as televizioni qoftë as edhe kompjuteri më i zgjuar.
Nuk dua t’ju rikujtoj nga e para të gjitha përfitimet që vijnë nga leximi i librave, kam shkruar dhe herë të tjera mbi këtë temë, i gjeni KËTU dhe KËTU.
Megjithatë, vlen te përmend që ndërsa lexojmë për fëmijët, ne jemi më pranë me ta, mund t’i përqafojmë, t’i shohim me dashuri, të shpenzojmë kohë së bashku.
Në nje gjuhë që është e kuptueshme për ta, prindërit janë duke thënë: “Të dua shumë dhe je vërtetë i rëndësishëm për mua.” Është falë kësaj ndjesie që fëmijët lulëzojnë, nisin të krijojnë vetëbesim, mirësjellje, ndjeshmëri dhe aftësi shoqërore.
Të dy fëmijët e mi janë lexues të zellshëm. Sidomos Davidi. është lloji i personit që lexon gjithçka.! Ç’t’i zërë dora: libra me ilustrime, seri, libra edukativ, gazeta, pjesën e pasme të kutive të drithërave – merreni me mend. Dhe unë isha po njësoj kur isha fëmijë! Është pak më e vështirë ta bëj Viktorian të nis një libër, por sapo të përfshihet, aq e pat! Asaj i pëlqejnë më së tepërmi seritë dhe aktualisht është duke lexuar “Mummy and the Mermaid”, dhe po e shijon tepër!
E dashuroj momentin kur fëmijët përhumben në botën magjike që vetëm lexuesit e perceptojnë!
Le t’i rikthehemi pyetjes kryesore: “Si ja ke dalë t’i bësh fëmijët e tu të lexojnë kaq shumë libra kur ndodhemi në epokën e tabletave dhe telefonëve celularë?” Unë besoj se epoka e tabletave dhe telefonëve nuk egziston. Patjetër, nuk jam e verbër dhe e di se shumica prej nesh ngec aty shpesh. Por pse ngecin fëmijët tanë? Përgjigjia është e thjeshtë, sepse ne ua kemi mësuar që ta bëjnë!
Një fëmijë i vogël nuk nis rastësisht të përdorë një tablet apo telefon dhe ti duket më tërheqës se çfarëdolloj kutije që mund të gjendet në shtëpi. Megjithatë, një fëmijë i vogël mund ta dallojë që për ne, tabletat, telefonat (për disa edhe televizori) janë pajisje magjepsëse. Njerëzit shpenzojnë orë të tëra para ekraneve, ua ngulin sytë vazhdimisht, zgjaten për telefonin, herë pas here lexojnë diçka, kontrollojnë diçka tjetër, shkruajnë, përgjigjen.
Në këtë mënyrë, ky fëmijë i vogël mëson se ka diçka mjaft tërheqëse në këtë ekran te vogël përderisa pjesëtarët e familjes bëjnë diçka në të gjatë gjithë kohës(a nuk jeni të mendimit se nëse pasi do të hynim në shtëpi, do e vendosnim telefonin në një raft, ata as që do ta llogarisnin ekzistencën e tij?).
Pse nuk ma kërkojnë fëmijët telefonin gjatë ditës?
Përgjigjia është fare e thjeshtë dhe e prerë – nuk e kanë të lejuar!
Ne kemi rregulla tepër të qarta në shtëpi mbi përdorimin e aparaturave, nëse fëmijëve nuk ju duhet një burim online për të bërë detyrat, ata thjesht nuk mund t’i përdorin dhe kaq.
Megjithatë ata munden të Shtunën ose të Dielën, kanë një orar të caktuar në dispozicion dhe mund ta zgjedhin vetë nëse do të luajnë apo do të shohin filma vizatimorë.
Në të njejtën kohë e di që ka fëmijë që do të vepronin ndryshe, janë më kërkues dhe ju mund t’ju pëlqejë të veproni në një mënyrë tjetër, më thjeshtë. Ndaj e ripërsëris, kjo është vetëm si ndodh në rastin tim dhe dua të theksoj që nuk gjykoj asnjë prind që sillet ndryshe nga unë dhe vendos tua lërë në përdorim tabletat fëmijëve çdo ditë; është jeta juaj, standartet tuaja, rregullat tuaja.
Gjithkush ka të drejtën të përdorë çfarë i duket më e përshtatshme.
Ndaj, nëse doni të ndryshoni zakonet e fëmijëve tuaja dhe doni që ata të lexojnë më tepër.. ndoshta duhet ta nisni nga vetja me një analizë të thjeshtë – shënoni sa orë në ditë shpenzoni me një libër dhe sa kohë para telefonit. Në telefonin tim (Iphone) gjendet nje program që mat pamëshirshëm çdo sekondë që shpenzon para telefonit.
Ndaj kur më pyetën së fundmi në mund të ndaja udhëzimet dhe mendimet e mia mbi inkurajimin e të lexuarit tek fëmijët, edhe pse ishte dicka që nuk e kisha menduar asnjëherë më parë, ishte një ushtrim i këndshëm.
Ja 10 sugjerime për se si mund t’i bëni fëmijët të lexojnë më tepër:
- Lexoni për fëmijët tuaj.
Filloni tu lexoni atyre qysh në moshë të vogël. Uleni foshnjën në prehër dhe shikoni libra me figura së bashku. Jini interaktivë gjatë leximit: tregojuni kafshët, ndihmojeni të kthejë faqen. Librat me prekje janë tepër argëtues për tu lexuar me foshnjat (në familjen tonë seria e Ozburnëve është ndër më të preferuarat). Edhe librat me aktivitete apo surpriza me ndërrimin e faqes janë po aq argëtues (Si Dear Zoo nga Rod Campbell). Patjetër që vëmendja e fëmijëve të vegjël nuk zgjat shumë por mos e humbni kurajën shiheni si një lojë të ndërmjetme, nuk ka pse të duhet ta mbaroni historinë apo qoftë edhe faqjen. Ajo çfarë ka me të vërtetë rëndësi është që foshnja ta kuptojë rëndësinë që kanë librat në jetë. Kur fëmija të jetë pak më i rritur ju mund të shihni histori të shkurtra apo libra me ilustrime së bashku. Në dhomën e fëmijëve kemi një grumbull me librat e preferuar. T’i lexosh fëmijëve para gjumit është një mënyrë mahnitëse për tu qetësuar e për tu lidhur me ta.
Rreth moshës 4 vjeçare, mund të jetë argëtuesje nisja e librave me kapituj. Dalë ngadalë historitë mund të bëhen më komplekse dhe entuziazmuese. Përfshijeni fëmijën në histori, bëni pyetje (“Çfarë mendon se ndodh më pas?”) Shpjegoni fjalët e reja dhe konceptet. Flisni për se si sillen personazhet dhe përdorni zëra të ndryshëm për secilin prej tyre. Lërini të përfshihen në historinë! Mos ngurroni t’i bëni situatat më entuziazmuese, ndonjëherë edhe nga pak të frikshme!
Përpiquni të lidhni përjetimet nga përditshmëria e fëmijës me librat që po lexoni së bashku. Kur shihni diçka që ju kujton një histori, kujtojani fëmijës dhe anasjelltas, kur diçka e njohur ndodh në libër, përmendjani këtë fëmijës( Mban mend kur bëmë diçka të ngjashme? etj. )
Kur fëmija të nis të lexojë vetë, mos ndaloni së u lexuari atyre!
Përfshijeni atë: ndiqeni rreshtin me gisht, që ai të shoh ku jeni. Lëreni atë të lexojë disa fjalë apo fjali të tëra.
Vazhdoni t’u lexoni fëmijëve përgjatë gjithë shkollës fillore! Edhe adoleshëntëve u pëlqen t’u lexojnë histori!
Gjeni KËTU LISTËN ME LIBRAT MË TË BUKUR PËR FËMIJËT NËN 10 VJEÇ. - Librat me seri. (Harry Potter!)
Kur fëmija të jetë gati, lexoji Harry Potter-in. Unë ja kam lexuar Davidit të gjithë serinë. Mu deshën dy vite, por jam e bindur që kjo ka ndihmuar tepër në zellin që ata kanë sot për të lexuar. Në kohën kur unë po u përfundoja librin e fundit ata kishin filluar t’i lexonin vetë librat e parë, edhe njëherë nga e para! Dhe pas asaj, ishin të etur për më shumë!
Mendoj se librat me seri janë një mënyrë shume e mirë për t’i motivuar fëmijët që të lexojnë. Patjetër, të ngelet merak të zbulosh se në ç’aventura të reja do të përfshihet personazhi yt i preferuar.
- Shmangni ekranet, fikni televizorët.
Ne jemi le të themi, një familje pa ekrane, që kam përshtypjen na ndihmon konsiderueshëm. Fëmijët tanë nuk kane Ipad apo një qendër lojrash ku të përfshihen. Ne nuk shohim as shume televizion (përveç të premteve mbrëma ku nuk gatuajmë por hamë snack të shijshëm para televizionit ndërsa shohim një film apo serial së bashku).
Kur fëmijët tanë kanë nevojë për një kohë më të qetë dhe janë të lodhur apo të mërzitur e duan të përfshihen në aventura apo botë imagjinare, ata mblidhen kruspull diku dhe lexojnë. Nuk po them që ekranet duhen eleminuar totalisht, por reduktimi i kohës që fëmijët shpenzojnë me to do të ndikojë drejtpërdrejtë ne se sa ata lexojnë.
Patjetër është e rëndësishme të theksohet se leximi i librave merr më tepër kohë dhe durim se sa argëtimi në sajë të televizionit apo videolojërave, ndaj kurajua dhe qendrushmëria duhen për çdo rast. - Krijoni një kënd të rehatshëm leximi.
CNë përgjithësi fëmijëve u pëlqen të qendrojnë në praninë e prindërve të tyre, unë kam hequr dorë kohë më parë nga ideja e një dhome për lodrat – ato jetojnë në sallonin tonë, njësoj si librat dhe revistat. Në njërin cep të sallonit kemi një divan kënd të rehatshëm, me shumë jastëkë e batanije. Duket sikur të fton të lexosh aty dhe njëherazi të jesh pjesë e gjullurdisë në jetën e familjes.
Të krijuarit e një hapësire për leximin është argëtuese, në verë ju madje mund të vendosni disa jastëkë dhe libra jashtë. Nëse kuzhina juaj është mjaftueshëm e madhe, edhe atje do të ishtë ide shumë e mirë të kishit një kënd leximi. - Lerini fëmijët të zgjedhin çfarë do të lexojnë.
Nëse fëmija juaj ende nuk është dashuruar me librat, mos hiqni dorë. Vazhdoni t’i motivoni ata të lexojnë – revista, libra satirik, libra gatimi – çdo gjë! Më kujtohet kur kam qënë e re librat me humor nuk konsideroheshin si lexim cilësor, por nëse ata e shijojnë dhe kjo i bën ata të lexojnë, aq më bën! Leximi duhet të jetë argëtues!
Gjithashtu mund t’i motivoni të lexojnë diçka të re që u zgjon interesat – kalorës, sporte, dinosaur apo princesha. Sigurohuni vetëm që libri të mos jetë tepër i vështirë – nëse është përtej aftësive të tyre të të lexuarit të jeni të bindur që do e humbin interesin shumë shpejt. - Bëni që në shtëpi ata të mund të kenë akses lehtë ne libra.
Rrethojeni fëmijën nga libra të mirë e tërheqës! Vizitoni bibliotekën ose shkoni në librari. Jepini vetes kohë kur të jeni aty. Shikoni si qendrojnë aq shumë libra bashkë, uluni në dysheme, harrojeni kohën. Të jesh i rrethuar nga libra është një magji e vërtetë! Merrini me vete në shtëpi dhe lumturohuni!
Kur marrin deftesën, secili nga fëmijët e mi mund të zgjedhin nga një libër të ri për të blerë, është e rëndësishme për ta (për më tepër, i mban të argëtuar ndërsa jeni duke udhëtuar për pushimet verore!). Atyre u pëlqen të marrin kupona për blerje librash edhe në ditëlindjen e tyre.
Mendoj se është e rëndësishme që fëmijët të kenë akses në libra që i takojnë temave dhe niveleve të ndryshme. Ne kemi libra ne dhomën e fëmijëve, në dhomën e ndenjies, ka grumbuj librash dhe revistash anë shtratit që i lexojmë në mëngjeset e fundjavës. Librat thjesht nuk mund të shmangen në shtëpinë tonë! - Asnjëherë mos e shihni filmin pa e lexuar librin.
Kështu është rregulli. (Pasi përfundonim një libër të Harry Potter, çdo herë, ne shihnim filmat së bashku. Shumë gallatë!) - Gjeni kohë për të lexuar.
Në kohët kur skedulat janë plot dhe jetët të ngarkuara, sigurohuni që ta gjeni kohën për tu relaksuar e për të lexuar. Konsiderojeni prioritet! (Kjo nuk është gjithnjë e thjeshtë për mua, dhe më duhet ta pranoj që kjo nuk ka qenë e thjeshtë për mua në vitin e fundit pasi kemi qenë aq të ngarkuar sa i kemi rënë në qafë orarit të leximit. Nuk është mirë!) - Flisni për librat, ndani entuziazmin
Ndani dashurinë tuaj për leximin, interesohuni dhe përfshihuni në atë çfarë po lexon fëmija juaj. Flisni rreth autorëve të medhenj apo ilustratorëve te njohur. Diskutoni mbi klasikët. Bëhuni kreativë së bashku: Krijoni shenjues librash së bashkë me ta. Kur një shok i fëmijës vjen tek ju, lexojuni të dyve që të mund të ndajnë entuziazmin së bashku. - Kërko ndihmë nëse të duhet
Nëse mendoni se i keni provuar të gjitha dhe fëmija ende refuzon të lexojë, ju mund të duhet të flisni me një mësues, një pediatër apo me nje terapist edukimi. Ndoshta mund të ketë një problem fizik (dëgjim, shikim) ose fëmija ka një mungesë aftësie në të mësuarit dhe terapia mundet ta ndihmojë.Kur fëmijët tanë lexojnë, bota e jashtme rresht së ekzistuari për ta – ata nuk na dëgjojnë, shohin, vënë re, nuk vënë re që dielli po ikën, po errësohët, që janë të uritur, që nuk janë rehat. Vetëm ndonjëherë çohen për te shkuar në tualet. Pyes veten, kujt t’i kenë ngjarë vallë?!
Shpresoj që këto sugjerime t’ju vinë në ndihmë!
Dhe si gjithnjë do të doja të dëgjoja mendimet dhe përshtypjet tuaja në komentet më poshtë.
Ju dërgoj përshëndetjet më të ngrohta,
Joanna
xxx