Ne po i rrisim fëmijët tanë në një botë krejt të re. Tashmë ne nuk mund të bazohemi në metodat edukative të prindërve tanë, sepse bota në të cilën ne jemi rritur nuk ekziston më. Jetojmë në një epokë krejt ndryshe, kështu që edhe mënyra e prindërimit për fëmijët tanë duhet të jetë ndryshe gjithashtu.
Po si mund të rrisim fëmijë të edukuar në ditët e sotme?
Librat, kurset, artikujt rreth prindërimit, specialistët dhe terapistët për fëmijë mund të na sugjerojnë rrugën e duhur dhe të na tregojnë zgjidhjen e problemit nga një prespektivë ndryshe. Por duhet të kemi parasysh se çdo fëmijë është i veçantë ashtu si çdo familje është e veçantë.
Si prind i një fëmijë të vogël, ndërkohë që lexoni këta artikuj, ndoshta ndiheni të shtangur nga paniku, frika dhe mesazhet e ndryshme që ju transmetojnë. E menjëherë ju lindin disa pyetje në kokën tuaj. Cila është gjëja e duhur që duhet të bëj? Çfarë po bëj gabim?
Ju duhet të dini diçka.
Ndryshimi fillon me një prind dhe një fëmijë në të njëjtën kohë. Ju keni një dritare me mundësi të jashtëzakonshme për të ndërtuar themelin që fëmija juaj ka nevojë dëshpërimisht, por edhe që e dëshiron gjithashtu. Themeli për disa vlera si bujaria, përgjegjësia, vlerësimi, përzemërsia, mirësia, dobia dhe etika e punës fillojnë gjatë viteve të para të jetës.
Kjo është pjesa më e vështirë.
Gjithçka fillon nga ne— prindërit. Fëmijët nuk kanë kapacitetin e duhur dhe nuk kanë arritur pjekurinë e duhur për të luftuar një sjellje të gabuar e aq më pak të gjejnë një zgjidhje për gabimet e tyre.
Kështu që ne si prindër, duhet të fillojmë me këto 3 këshilla të thjeshta:
- T’a respektojmë fëmijën – të flasim dhe t’a dëgjomë atë ashtu siç do të bënim me një të rritur.
- Të qëndrojmë pas fëmijës – t’i besoni fëmijës do t’a ndihmojë atë të zhvillohet sipas ritmit të tij.
- T’u japim kohë atyre– kur ne ngadalësojmë pak, kemi më tepër kohë për të eksploruar, për të qënë kurioz, për të biseduar dhe për t’u lidhur më shumë me njëri-tjetrin.
Më pas ju mund të filloni të përqëndroheni në këto zakone të thjeshta:
Limitet – vendosni limite të përcaktuara dhe të qarta
Është e vështirë t’u vendosim limite fëmijëve dhe ne si prindër të arrijmë t’i respektojmë ato. Kjo ndodh veçanërisht kur fëmijët të shtyjnë, bërtasin papushim ose të kërcënojnë me shprehje si “Të urrej.” Mos harroni që kur fëmijët sillen në këtë formë, ata po mundohen të plotësojnë nevojat e tyre në mënyrën e vetme që dinë. Në varësi nga limiti që u vendosim, mund të nevojitet shumë kohë para se një fëmijë të pranojë me dëshirën e tij limitin e vënë nga prindi.
Kur fëmijët fillojnë të të largojnë ose të bërtasin më pak, kjo do të thotë se ata dalëngadalë po fillojnë t’a pranojnë limitin që i keni vënë. Nëse limiti juaj është si një mur (dhe jo si një derë që gabimisht hapet herë pas here) fëmija juaj do të kapërcejë murin dhe dalëngadalë do të punojë për të përmbushur nevojat e tij në një mënyrë tjetër.
Bota është një vend shumë kaotik. Limitet e ndihmojnë fëmijën tuaj, jo vetëm që të jetë i qëndrueshëm, por edhe të përparojë. Reflektoni me veten tuaj dhe mendoni se cilat janë limitet e vërteta që ju keni. Pastaj mbani mend që limitet tuaja janë mure me tulla, jo dyer që lëkunden.
Rutina
Ka kaq shumë gjëra nga fëmijëria të cilat janë të reja dhe sfiduese për fëmijët si për shembull të mësojnë vetë-kontrollin dhe empatinë, të mësojnë se si të jenë një mik i mirë si dhe të bashkëpunojnë me të tjerët. Këto të gjitha janë gjëra shumë të MËDHA për fëmijët. Duke përdorur diçka kaq të thjeshtë si letra të printuara rutine, mund t’i ndihmojë fëmijët të jenë me këmbë në tokë dhe të ndihen më të relaksuar. Në fakt, të dish se çfarë të pret gjatë vakteve, mëngjeseve dhe mbrëmjeve, mund të sjellë një ndjenjë lehtësimi edhe për fëmijën më të shkujdesur.
Keni një fëmijë kokëfortë? Akoma më mirë. Rutina bën që fëmijët të ndiejnë një sens kontrolli, gjë që është shumë e rëndësishme për një fëmijë kokëfortë.
Këtu mund të lexoni artikullin e plotë ku do të kuptoni se pse ju jeni me fat që keni një fëmijë kokëfortë
Të flesh herët
Gjumi është guri i themelit për një zhvillim të shëndetshëm të trurit. Na ndihmon të përpunojmë ngjarjet që na kanë ndodhur gjatë ditës si dhe të mësojmë prej tyre. Truri i fëmijëve është duke u zhvilluar vazhdimisht dhe duke krijuar lidhje të reja nervore, kështu që ata, duhet të flejnë patjetër në mënyrë që të ushqyejnë këto lidhje që krijojnë.
Aktivitetet e ndryshme në të cilat ata përfshihen gjatë ditës, shkolla dhe koha që fëmijët kalojnë me teknologjinë, bën që fëmijët të shkojnë për të fjetur më vonë dhe t’a kenë më të vështirë të bëhën gati për të fjetur. Një nga gjërat kryesore që ju mund të bëni në të mirë të sjelljes së fëmijës tuaj, shëndetit dhe mirëqënies e tij është t’a ndihmoni atë të flejë aq sa i nevojitet.
Përqafimet
Ka një shprehje mjaftë interesante nga Virginia Satir, një terapiste familjeje: “Ne kemi nevojë për katër përqafime në ditë për të mbijetuar, tetë përqafime për mirëqënien tonë dhe dymbëdhjetë përqafime në ditë për t’u rritur.”
Përqafimet shkaktojnë çlirimin e oksitacinës, i cili është i njohur si hormoni i dashurisë. Ky hormon, i cili të bën të ndihesh mirë, ka shumë efekte të rëndësishme në trupin tonë. Një prej tyre është stimulimi i rritjes. Studimet tregojnë se pëqafimi mund të rrisë menjëherë nivelin e oksitacinës. Kur oksitacina rritet, disa hormone të ndryshme të rritjes si insulina, faktori-I i rritjes (IGF-1) dhe faktori i rritjes nervore (NGF), rriten gjithashtu. Prekja nëpërmjet një përqafimi mund të ndihmojë në rritjen e fëmijës.
Koha që kalojmë në natyrë
Lëvizja përmes lojës aktive të lirë, veçanërisht në natyrë, përmirëson gjithçka duke filluar që nga kreativiteti i fëmijës, suksesi akademik e deri tek stabiliteti emocional. Fëmijët të cilët nuk i bëjnë këto aktivitete në natyrë, mund të shfaqin shumë probleme me kontrollin emocional—si për shembull ata fillojnë të qajnë menjëherë—kanë problem me mbajtjen e lapsit, si dhe i prekin fëmijët e tjerë duke ushtruar tepër forcë.
Lexoni më tepër rreth edukimit në natyrë ketu .
Punët e shtëpisë
Edhe pse nganjëherë është e vështirë t’i bindim fëmijët të bëjnë punë shtëpie, ata përfitojnë shumë nga kjo eksperiencë.
Studimet thonë se ata fëmijë që bëjnë disa punë të caktuara në shtëpi, kanë vetëbesim më të lartë, janë më të përgjegjshëm dhe janë më të aftë të përballen me zemërimin dhe arrijnë të kontrollojnë instiktin për të marrë çdo gjë që duan. Të gjitha këto, bëjnë që ata të jenë më të suksesshëm në shkollë.
Ju nuk keni pse t’a përcaktoni si punë apo detyrë. Thjeshtë përfshijeni fëmijën tuaj në jetën e përditshme – përgatisni ushqimin sëbashku, përfshijini ata ndërkohë që ju lani enët apo pastroni, krijoni projekte kopshtarie sëbashku, përgatisni për vizitorët…etj.
Për të lexuar më tepër se si fëmijët mund të ndihmojnë në shtëpi, ju mund të klikoni ketu.
Lexoni ketu pse është e rëndësishme që fëmijët të jenë të pavarur.
Përcaktoni kohën që fëmijët duhet të kalojnë para ekranit
Në mënyrë që rrjetet nervore të trurit të zhvillohen normalisht gjatë periudhës kritike, një fëmijë ka nevojë për një stimul specifik nga mjedisi i jashtëm. Këto janë disa rregulla që kanë evoluar përgjatë shekujve të evolucionit njerëzor por çuditërisht këta stimuj thelbësorë nuk gjenden në ekranet e tabletave që përdorim sot. Kur një fëmijë i vogël kalon shumë kohë para ekranit dhe nuk merr stimujt e nevojshëm nga bota reale, atëherë zhvillimi i tij ngadalësohet.
Rreth kësaj çështjeje ju mund të lexoni më tepër këtu.
Gjeni ketu përgjigjet e mia për pyetjen: “Sa kohë duhet të kalojë fëmija para ekranit?”:
Më tepër eksperienca, më pak gjëra materiale
Fëmijët kërkojnë më pak gjëra dhe më tepër eksperienca domethënëse. Kur ata të rriten nuk do të mbajnë mend gjërat materiale që kanë patur në jetën e tyre, por ata do të kujtojnë gjithmonë kohën kur ju mundoheshit të kapnit larva tek liqeni, ose kështjellat prej rëre të cilat ua rrëzonte dallga, në plazh. […] Eksperiencat më të bukura të jetës kushtojnë shumë pak për të mos thënë asgjë, si për shembull, një piknik në park, flluska sapuni në oborr, të bësh vizatime me shkumës në trotuare ose të bëni një lojë football, por të gjitha këto kanë një gjë të përbashkët; bëjini sëbashku. Ajo çfarë fëmijët duan vërtetë në jetë është të kalojnë kohë cilësore me prindërit e tyre.
Pra, përpiquni të krijoni eksperienca të reja, jo domosdoshmërisht duhet të kushtojnë shumë para. Dilni në natyrë, shëtisni deri në fund të rrugës duke ruajtur ritmin e fëmijës, shkoni dhe sodisni një liqen sëbashku, vizitoni një ndërtesë zjarrfikësish, shikoni trenat ose shkoni në biblotekë sëbashku për të marrë libra. Ka kaq shumë alternativa
Mund të lexoni ketu rreth eksperiencave të mia.
Lexojuni fëmijëve tuaj
Një nga gjërat më të rëndësishme që një prind mund të bëjë, përveçse të kujdeset për shëndetin dhe sigurinë e fëmijës, është të lexojë më ta. Kjo do të thotë që prindërit duhet t’a bëjnë këtë gjë që kur fëmijët janë të porsalindur dhe nuk munden ende të flasin si dhe t’a vazhdojnë këtë gjë derisa ata të jenë në gjëndje të lexojnë vetë. Studime të shumta tregojnë se të lexuarit me fëmijët që në moshë të hershme, i ndihmon ata të flasin, të ndërveprojnë me të tjerët, të lidhen më tepër me prindërit e tyre dhe arrijnë të lexojnë më shpejtë. Përveç kësaj të lexosh me fëmijët të cilët sapo kanë mësuar të lexojnë i ndihmon ata të jenë më të afërt me personat të cilët kujdesen për ta, si dhe arrijnë të kuptojnë më mirë botën rreth tyre dhe bëhen qytetarë empatikë të botës.
Klikoni këtu për të mësuar më shumë rreth kësaj teme si dhe për të kuptuar se pse është kaq i rëndësishëm leximi me zë të lartë edhe për fëmijët e rritur?
Këtu mund të lexoni për metodat e mia bazuar në filozofinë Montessori se si mund të zgjidhni një libër të mirë për fëmijën tuaj si dhe mund të gjeni sugjerime për 10 LIBRAT MË TË BUKUR PËR FËMIJË.
Cila është gjëja e duhur që për t’u bërë? Nuk ka një përgjigje të thjeshtë. Unë mendoj se ne duhet të ndjekim instiktin tonë dhe të mos e injorojmë asnjëherë zërin tonë të brendshëm. Dashuria për fëmijët tanë do të na japë ne përgjigjet e duhura dhe herët ose vonë do të na vendosë në shtegun e duhur të prindërimit. Unë shpresoj që kjo t’ju ndihmojë të menaxhoni situatën tuaj në një mënyrë më pozitive dhe më të qetë.
Sepse duhet që çdo familje me radhë të shpërndajë paqe dhe pozitivitet në botë. Kështu që fillo me familjen tënde!