U frymëzova për të shkruar këtë artikull nga ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në shtëpinë time. Papritur, në familjen tonë erdhën dy kafshë, kështu që u bëmë me dy anëtarë të rinj. Fëmijët e mi i duan shumë kafshët, ashtu si edhe unë me bashkëshortin tim, pasi të dy mendojmë se kafshët mund të sjellin pozitivitet në jetët tona. Fëmijët tanë i adhurojnë qentë dhe macet e lagjes, dhe sa herë i shikojnë i prekin dhe i përkëdhelin. Ata prej kohësh na kishin kërkuar të adoptonim një kafshë shtëpiake, kështu që sapo u zhvendosëm në një shtëpi e cila ka një kopësht të vogël, ne vendosëm që ishte momenti i duhur për të marrë një qen.
Për mendimin tim, të kesh një qenush të vogël e më pas një qen më të rritur mund t’u mësojë fëmijëve tre gjëra thebësore për jetën që do të jenë shumë të vleshme për t’a kur të rriten:
- Ata do të mësojnë rëndësinë e Dashurisë dhe të Miqësisë.
- Do të mësojnë të jenë të përgjegjshëm.
- Do të mësojnë të jenë më të disiplinuar (si fëmija ashtu edhe qeni).
1.Çfarë aftësish të tjera mund të fitojnë ndërkohë që rriten?
Pavarësisht se fëmijët i duan shumë prindërit, motrat dhe vëllezërit e tyre, gjatë viteve ata mund të kenë ulje-ngritje me njëri-tjetrin, por një gjë është e sigurtë, ata kurrë nuk do t’i prishin marrëdheniet me qenin e tyre, i cili u është bërë dhuratë që kur ishin fëmijë. Një qen i rritur mirë është një mik besnik për gjatë gjithë jetës, kjo mund të jetë shumë e dobishme veçanërisht nëse keni një fëmijë të vetëm ose një fëmijë i cili zakonisht është i qetë dhe i rezervuar. Me siguri, shpesh mund t’a gjeni fëmijën tuaj duke i pëshpëritur në vesh qenit dhe duke i treguar atij sekretet e zemrës që nuk do t’ia tregonte askujt tjetër, aq më pak prindërve të tij.. Këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar: thjeshtë fëmija juaj është duke mësuar rëndësisnë e dashurisë dhe të miqësisë, dy gjëra të cilat pa dyshim janë elementët thelbësorë për një jetë të lumtur.
2.Kur fëmijët tanë bëjnë një gjest të ndjerë dashurie kjo na bën të buzëqeshim, por le t’a pranojmë, në shumicën e rasteve ata mendojnë vetëm për veten e tyre. Kjo është nje fazë krejtësisht normale dhe e natyrshme gjatë rritjes emocionale të një njeriu, por një qenush mund t’i mësojë fëmijës diçka krejtësisht të re: përgjegjësinë. Ata do të bëjnë çdo gjë për mikun e tyre me katër këmbë. Do t’a ushqejnë atë, do t’i bëjnë ushtrime, do t’i blejnë lodra, dhurata si dhe do të shqetësohen për shëndetin dhe lumturinë e tij. Me pak fjalë, aftësitë që ata mësojnë teksa kujdesen për qenin, janë të njëjta me aftësitë që do përdorin më vonë për t’u kujdesur për fëmijët e tyre.
3.Fëmijët dhe qenushët janë të adhurueshëm, por ata kanë një karakteristikë të përbashkët: ata ndonjëherë mund të jenë të pabindur. Një qeni duhet t’i tregosh se cila është gjëja që i lejohet të bëjë dhe cila jo, në mënyrë që ai të dijë ku duhet të shkojë në tualet, të mos dëmtojë mobiljet dhe pajiset e tjera shtëpiake si dhe të menaxhojë sjelljen e tij kur është në rrugë ose kur nuk është i lidhur me zinxhirë. Ata do të kuptojnë se sa e rëndësishme është të jesh i bindur dhe se sjellja e mirë shpërblehet. Kjo është arsyeja se pse mamatë të cilat u blejnë fëmijëve një qen, shpesh shikojnë një përmirësim të ndjeshëm në sjelljen e tyre.
Por, cila është mënyra më e mirë për të adoptuar një qen në një familje me fëmijë?
Një nga gjërat më të rëndësishme është t’i përfshijmë fëmijët që në fillim, që në momentin kur zgjedhim kafshën që do të adoptojmë. Qëllimi është që t’u bëjmë të qartë se me të vërtëtë do të sjellë lumturi në jetën tonë, por ka edhe shumë “mundim” gjithashtu. Dhe këtu e kam fjalën se duhet të angazhohemi për t’a nxjerrë jashtë, për t’a ushqyer e kështu me radhë, të gjitha detajet praktike që duhet t’i shpjegojmë fëmijëve! Por, përveçse t’ua shpjegojmë me fjalë, mendoj se strategjia e duhur për t’i angazhuar më tepër me kafshët është t’i mësojmë fëmijët duke demostruar dhe duke vepruar. Në Montessori ne kemi një shprehje shumë të bukur, “Mësoji të tjerët duke i mësuar, jo duke i korrigjuar”. Fëmijët mësojnë duke na vëzhguar, ata do të shikojnë se si ne kujdesemi për kafshët në shtëpi dhe do të bëjnë të njëjtën gjë gjithashtu. Unë vij nga një familje në të cilën kafshët ishin gjithmonë të pranishme, veçanërisht qentë. Unë kujdesesha për ta, i ushqeja dhe i laja. Ansjëherë nuk harroja t’u jepja ujë të freskët qenve, kjo ishte një nga detyrat e mia si fëmijë. Ende i ruaj në memorien time momentet kur kthehesha nga shkolla dhe përherë gjeja një mik të vogël që më priste tek dera, gjithmonë i lumtur që më shikonte.
Një tjetër detaj, jo më pak i rëndësishëm, është zgjedhja e qenit. Pavarësisht se çdo kafshë është e veçantë në vetvete, në përgjithësi, një qenushe femër do të ishte më e përshtatshme. Ato janë më tolerante, më të dashura dhe më pak agresive. Nga vëzhgimet e mia, jam plotësisht dakord me faktin se një qen femër do të ishte një zgjedhje ideale, veçanërisht për fëmijët e vegjël. Një fëmijë deri në 5 vjeç mund të tregohet agresiv me qenushin, kështu që një qen femër do të ishte si një mama që duron çdo gjë nga fëmija i saj (të qarat, të bërtiturat, gërvishtjet, shtrëngimet, agresivitetin) dhe pavarësisht të gjithave ajo sërish e don atë pa kushte.
Kafshët në shtëpinë tonë
Siç e përmenda edhe më lart, ne sapo kemi marrë 2 kafshë në shtëpinë tonë! Por, le të fillojmë nga e para. Më parë ne kishim një qen të cilin e quanim LULU. Ajo ishte mikja jonë më e mirë dhe ishte gjithashtu një krijesë shumë inteligjente. E adoptuam Lulunë kur ajo ishte vetëm një qenushe e vogël dhe qëndroi me ne për gati 3 vite. Fatkeqësisht, ajo vdiq në një aksident me makinë dhe ne e vuajtëm shumë humbjen e saj. Ne folëm me fëmijët tanë rreth kësaj çështjeje, dhe si mund t’a kishim shmangur atë. Akoma e kujtojmë Lulunë me shumë dashuri. Kujtojmë momentet dhe kohën që kemi kaluar sëbashku, kur shkonim me pushime dhe çfarë i pëlqente të bënte më së shumti.
Pas një kohe të gjatë dhe pas shumë lutjesh nga fëmijët, ne vendosëm të adoptonim një kafshë tjetër. Duke qënë se u zhvendosëm në një shtëpi e cila ka një kopësht të vogël, menduam se ky ishte momenti i duhur, në këtë mënyrë ai mund të luajë lirshëm në kopësht dhe nuk është e nevojshme ta nxjerr jashtë për nevojat e tij. Të them të drejtën, kjo ka qënë pjesa më e vështirë për mua. Të nxjerrësh qenin jashtë edhe kur bie shi dhe kur nuk ke as dëshirën më të vogël për të dalë, por duhet t’a bësh, nuk është një kënaqësi e madhe. Por, tashmë me këtë hapësire private që kemi në shtëpinë tonë, ky problem është tejkaluar.
Fillimisht, ne biseduam me fëmijët për anët pozitive (për shembull, për lumturinë dhe gëzimin që sjell) si dhe për anët negative që ka MBAJTJA E NJË QENI në shtëpi (për shembull mundësia që të humbasë).
Ne shkuam në dyqanin e kafshëve dhe vajza jonë e zgjodhi vetë qenushin e saj. Sapo e pa, ajo nuk mund të ndahej më prej tij. Ishte dashuri me shikim të parë! Ai ishte i vogël, me gëzof të bardhë dhe dukej si një top i vogël dëbore. Qeni supozohej të ishte një Nano Spitz, por veterineri jonë na tha se mund të ishte një Samoyed. Ne akoma po presim sa të rritet për të kuptuar se çfarë rrace është në të vërtetë. Sidoqoftë ne e pranojmë atë ashtu siç është. Ndërsa macen e zgjodhi David. Ai e pa atë të vetme në kafaz dhe u mrekullua nga ëmbëlsia e saj.
Trajneri i qenit na tha se ishte një ide e mirë të adoptonim dy kafshë në të njëjtën moshë, sepse në këtë formë ata do të rriten së bashku dhe do të mësojnë t’a duan e t’a pranojnë njëri tjetrin. Ata janë 3 muajsh tashmë dhe të dy kanë gëzof të bardhë. Fëmijët, sigurisht u kanë vendosur emra atyre: Qenin e quajnë Fiocco, ndërsa macen Neve, që do të thotë flokëbore, në anglisht (Snow&Flake), ndërsa në italisht “Fiocco di Neve”. Ata luajnë sëbashku gjatë gjithë ditës dhe dalëngadalë po bëhen miq të mirë me njëri-tjetrin.
E vërteta është se ata sjellin çdo ditë shumë dashuri dhe lumturi në shtëpinë tonë, sigurisht edhe pak çmenduri, gjithashtu…. Po, po nëse gjërat nuk menaxhohen siç duhet, kafshët mund të sjellin edhe stres në të njëjtën kohë. Unë personalisht, kam vendosur të marr disa këshilla nga specialistët.
Një trajner qensh Simone Della Valle, në dy librat e tij shpjegon: “Si (dhe pse) të zgjedhim një qen”, nga Tea edition, dhe “Një qen për të gjithë familjen Missione cuccioli” nga De Agostini propozon disa këshilla praktike dhe disa teori që jo domosdoshmërisht janë të vërteta por që fillimisht ndihmojnë në zgjedhjen e qenit dhe më pas për të krijuar një marrëdhënie të mirë ndërmjet tij dhe fëmijës.
Çfarë duhet të evitojmë:
- ASNJËHERË MOS DHURONI NJË KAFSHË. Fëmijët duhet të përfshihen që në momentin e zgjedhjes.
- MOS GJYKONI NGA MADHËSIA E KAFSHËS. Ndonjëherë një qen i vogël mendohet dhe trajtohet si një lodër nga fëmijët.
- KAFSHA NUK ËSHTË PËR T’U HEQUR FRIKËN FËMIJËVE. Ata që mendojnë të marrin një kafshë në shtëpi në mënyrë që fëmijët të mos kenë më frikë prej tyre e kanë gabim, ndoshta situata mund të përkeqësohet.
- NJË QENUSH NUK ËSHTË ZGJEDHJE E MIRË. Ju kujtohet ideja që një qenush dhe një fëmijë mund të rriten sëbashku?
Jo gjithmonë: Karakteri i një kafshe të rritur nuk mund të parashikohet. Nga këshillat e mësipërme unë jam plotësisht dakord me sugjerimin e dytë. Edhe nëse qeni është i vogël, në fund të fundit ai është një kafshë dhe duhet të respektohet e të trajtohet si i tillë. Gjithashtu jam plotësisht dakord se të dhurosh një kafshë nuk është asnjëherë një ide e mirë.
Çfarë duhet të bëjmë:
- A DUHET TË FLEJNË SËBASHKU?: nuk ka asnjë problem, por kafsha nuk duhet të pretendojë se është e drejta e saj.
- DUHET T’U BËJMË TË QARTË FËMIJËVE SE ÇFARË DO TË THOTË ADOPTIM: Veçanërisht fëmijëve nën moshën 8 vjeç. Ju duhet t’u shpjegoni atyre se çfarë mund të bëjë një kafshë në shtëpi, cilat janë rregullat e përgjithshme dhe çfarë përgjegjësish kanë fëmijët.
- T’I STIMULOJMË FËMIJËT NË LIDHJE ME QENIN: Ka një efekt pozitiv në sistemin imunitar dhe rrit ndjeshmërinë.
- T’I PËRFSHIJMË FËMIJËT NË TË GJITHA DREJTIMET. T’i blejnë lodra dhe dhurata, të shqetësohen për shëndetin e tij, të shkojnë tek veterineri, t’a pastrojnë dhe t’a ushqejnë.
Pasi të lexoni këtë artikull, shpresoj që të krijoni një ide nëse duhet të adoptoni një qenush ose jo. Unë si prind shikoj mjaft aspekte pozitive nga prezenca e kafshëve në shtëpi, shumicën e të cilave i kam përshkruar më lart. E di që kafshët kërkojnë shumë kohë, sakrificë, dhe përkushtim, prandaj shumë familje vendosin të mos i marrin në shtëpi. Unë absolutisht jam dakord me këtë vendim dhe e respektoj zgjedhjen e tyre.
Sidoqoftë, ju këshilloj që të përpiqeni që fëmijët tuaj të kenë një kontakt me kafshët në një farë mënyre. Ndoshta njëherë në muaj mund të bëni një vizitë në kopshtin zoologjik ose në një fermë në periferi ku mund të gjeni kafshë. Ose ju thjeshtë mund të vizitoni një mik i cili ka një qenush apo një mace. Madje ju mund të merrni iniciativën për të ndihmuar kafshët në lagjen tuaj, duke ushqyer qentë e pastrehë, ose të vizitoni dhe të dhuroni diçka në strehën e kafshëve.
Fëmijët që kujdesen për qentë mësojnë se si ndihesh kur ke një krijesë që varet nga ti, kjo u mëson atyre se çfarë është përgjegjësia. Më mirë se kështu nuk do t’a mësonin në asnjë mënyrë tjetër. Të kujdesesh për qentë krijon një sens ndjeshmërie dhe respekti për jetën. Nxitja juaj dhe tundja e bishtit në shenjë falenderimi nga qeni, do të krijojë një ndjenjë vetëvlerësimi të qendrueshme që do t’a shoqërojë fëmijën për gjatë gjithë jetës.