Qershori ka mbërritur! E di që duket e pabesueshme por koha ka fluturur dhe tashmë jemi në qershor. Fëmijët kanë përfunduar vitin shkollor dhe ne jemi një nga ata fatlumë që kanë filluar pushimet që tani. Pushimet verore më trembin sepse më duket një kohë kaq e gjatë (2 muaj e gjysëm) e cila duhet mbushur patjetër me aktivitete të ndryshme. Gjithmonë pyes veten se si do t’a kalojmë në mënyrë produktive këtë kohë me fëmijët? Por pastaj, vit pas viti pushimet e verës kalojnë sa hap e mbyll sytë dhe menjëherë, pa e kuptuar vjen shtatori. Për mua një palanifikim paraprak është gjithçka! Vetëm në këtë formë mund t’i kem gjërat nën kontroll dhe mund të kalojmë një kohë të shfrytëzuar mirë gjatë verës.
Këtë vit kam filluar t’i përgatis udhëtimet që në fillim të majit dhe kuptova se në fakt kisha qënë pak vonë për të shfrytëzuar disa mundësi të mira. Mund të kisha gjetur vende me çmime dhe cilësi më të mirë për familjen time. Por, sidoqoftë, pjesa e organizimit të udhëtimeve mbetet pjesa më argëtuese për mua! E gjithë çështja është të kemi ide, të bëjmë një plan, të organizojmë dhe të përpiqemi të plotësojmë nevojat dhe dëshirat e të gjithëve
Meqënëse po flasim për udhëtimet, sot do t’ju jap disa sugjerime rreth lojërave dhe aktiviteteve që mund të na shoqërojnë gjatë udhëtimeve. Lojërat që kam zgjedhur unë janë një mënyrë shumë e mirë për t’i mbajtur fëmijët të zënë teksa presim një vakt në restorant, ose për pushime familjare të cilat zgjasin disa javë! I dua lojërat të cilat na ndihmojnë të lidhemi më tepër me njëri-tjetrin gjatë të cilave argëtohemi dhe qeshim për orë të tëra. Kam përzgjedhur këto lojëra, sepse shumica e tyre mund të luhen edhe nga fëmijët 3 vjeçarë, që do të thotë se të gjithë mund të bëhen pjesë dhe të qëndrojmë më tepër sëbashku. Për më tepër më pëlqen fakti që këto lojëra u japin mundësi fëmijëve (motrave, vëllezërve) të bashkëndajnë momente dhe të kalojnë më tepër kohë me njëri-tjetrin!
Më poshtë do të lexoni lojërat e mia të preferuara gjatë udhëtimeve me familjen:
Double – (lojë me letra) – Kjo është një lojë e shkëlqyer për të gjithë familjen, dhe të gjithë kanë shanse të barabarta për të fituar. Madje edhe Victoria e ka luajtur këtë lojë kur ishte vetëm 3 vjeç! Më pëlqen sepse është aq e vogël sa mund t’a fusni në çantën tuaj të dorës dhe të niseni.
Uno — është loja përfekte për të argëtuar fëmijët mbi 5 vjeç dhe prindërit e tyre për orë me radhë. Më pëlqen shumë kur e gjithë familja luan sëbashku!
Jenga – lojë me kuba druri ose forma drejtkëndore të cilat fëmijët (dhe të rriturit) mund t’i vendosin njëri mbi tjetrin në formën e rafteve dhe më pas të heqin pjesët një nga një, por pa rrëzuar pjesët e tjera. Me anë të kësaj loje fëmijët mund të testojnë durimin dhe aftësitë e tyre.
Dixit – lojë me letra në të cilën janë të ilustruara imazhe të ndryshme, me anë të të cilave mund të përdorin imagjinatën e tyre për të krijuar histori.Është një lojë krijuese për fëmijë nga mosha 3 vjeç, e cila ndihmon për të zhvilluar përvetësimin e gjuhës.
Cortex – një lojë emocionuese e cila vë trurin në punë – teston memorien e 6 lojtarëve, njohuritë dhe përceptimin e tyre ndjesor.
Shpresoj që këto lojëra t’i mbajnë fëmijët tuaj të zënë gjatë udhëtimeve të gjata dhe uroj që të jenë po aq të dobishme dhe argëtuese siç janë për mua dhe fëmijët e mi!
Meqënëse po flasim për udhëtimet e verës – më poshtë kemi përmbledhur disa nga arkivat e blogut tonë, ku mund të gjeni postime praktike dhe frymëzuese. Çdo vit u rikthehem disa prej këtyre këshillave të cilat më ndihmojnë për të organizuar pushimet e verës! Ju ftoj t’i lexoni edhe ju!
- Te udhetosh me femijet
- Pushime të sigurta me fëmijë të vegjël (pjesa 1)
- Mbrojtja UV per nje vere te sigurte (pjesa 2)
- Eskursione pranverore me fëmijët: gjirokaster, parga, sivota, lefkada
Pushime të mbara!