Në artikullin e kaluar për pushimet me fëmijët, folëm rreth sigurisë së tyre duke filluar që nga destinacioni që duhet të zgjedhim për fëmijët e vegjël, cila është mënyra e duhur e transportit, si dhe çfarë duhet të marrim me vete në kutinë e ndihmës së shpejtë. Për më tepër mund të lexoni artikullin e plotë ketu.
Sot do të flasim për një nga gjërat më të rëndësishme dhe më problematike në të njëjtën kohë, që duhet t’ë bëjmë patjetër gjatë verës: Si të mbrojmë lëkurën e fëmijëve nga dielli?
Mbrojtja nga dielli mund të jetë një problem i madh kur keni fëmijë të vegjël. Aplikimi i kremit të diellit të merr aq shumë kohë sa duket sikur zgjat pafund, për më tepër kur kremi është i trashë si një pastë dhëmbësh. Mund t’ju futet fëmijëve në sy dhe mund të njollosë rrobat tuaja, kjo përvojë është si një luftë me krokodilët. Rërë + krem dielli = ferr. Përveç kësaj, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e lëkurës ka edhe vështirësi të tjera. Fëmijët duan të luajnë gjatë gjithë kohës, i urrejnë kapelet, plazhet nuk kanë pemë, në mënyrë që të bëjnë pak hije. Dhe lista vazhdon…
Në rastin e fëmijëve, mbrojtja nga dielli është shumë e rëndësishme – madje e domosdoshme! Edhe pse ju dëshironi që lëkura juaj të nxihet dhe të shkëlqejë, fëmijët nuk duhet të qëndrojnë shumë gjatë në diell. Jo vetëm që nuk është e shëndetshme, sepse ju me siguri keni dëgjuar për kancerin e lëkurës, por gjithashtu ndikon në pigmentimin dhe në çehren e fytyrës. Tek fëmijët është më e lehtë që të digjen dhe të vuajnë nga dhimbjet.
Rrezet ultraviolet dëmtojnë lëkurën duke e përshpejtuar procesin e plakjes. Nëse nuk e besoni, shikoni një foto të Bill McElligott në internet – një shofer kamioni i cili për 28 vite ka ekspozuar vetëm njërën pjesë të fytyrës në diell. Ndryshimi me pjesën tjetër është i jashtëzakonshëm.
Për këtë arsye, kryesisht fëmijët duhet t’a shmangin qëndrimin në diell të hapur. Sa herë të keni mundësi kërkoni për një hije. Së dyti, gjithmonë përpara se të dilni në diell duhet të përdorni një krem me filtra mbrojtëse të përshtatshëm për moshën e fëmijës tuaj. Për fëmijët rekomandohen filtrat SPF me faktor mbrojtës 30, ndërsa për fëmijët nën moshën 3 vjeç këshillohet krem me factor mbrojtës 50. Ky i fundit këshillohet veçanërisht për foshnjat, në vend të filtrave minerale, për të shmangur filtrat e depërtimit kimik.
Nuk besoj se duhet t’ju kujtoj se gjatë qëndrimit në diell, aplikimi i kremit duhet të përsëritet vazhdimisht, për më tepër nëse fëmija është duke luajtur në ujë. Edhe nëse tek kremi shkruhet “kundër ujit”. Nëse planifikoni pushime në plazh, është e rëndësishme të blini veshje me mbrojtje nga rrezet ultraviolet për fëmijët e vegjël. Ndryshe nga sa shkruhet dhe thuhet, jo të gjitha veshjet të mbrojnë 100% nga rrezatimi.
Si të mbrojmë sytë e fëmijëve në diell?
Edhe sytë dyhet të mbrohen nga dielli gjithashtu. Ne (të rriturit) me dëshirën tonë vendosim syze dielli, po a duhet t’i vendosin edhe fëmijët? Për fëmijët e rritur syzet janë zgjidhja më e mirë për t’i mbrojtur sytë e tyre. Është e rëndësishme të blini syze dielli të përshtatshme për ta me filtra mbrojtëse kundër rrezatimit ultraviolet. Ndërsa, për foshnjat dhe fëmijët nga 2 deri në 3 vjeç nuk këshillohet të përdoren syze dielli sepse reduktojnë fushën e pamjes dhe mund të dëmtojnë zhvillimin e shikimit. Po si duhet t’i mbrojmë këta sy të vegjël atëherë? Gjëja më e mirë është që të përdorni një kapele bejsbollli ose një kapele me buzë të gjerë.
Mbrojtja më e mirë për fëmijët nën 6 muajsh
Nëse fëmija juaj është më pak se 6 muajsh, më e mira është që t’a ekspozojmë sa më pak të jetë e mundur në diell, ose të përdorni veshje me mëngë të gjata dhe pantallona për foshnjën tuaj për të reduktuar djegien nga dielli. Por nëse ju dhe fëmija juaj keni nevojë të bëni një aventurë jashtë, atëherë përdorni një krem me filtër maksimale, me faktor mbrojtës 50 dhe që përmban titan dhe oksid zinku. Ka shumë produkte hipoalergjene në dyqane të cilat sigurojnë një mbrojtje të sigurtë nga dielli dhe mund të jenë një zgjidhje shumë e mirë për familjen tuaj. Pavarësisht se cilën linjë zgjidhni, organike, jo-organike apo hipoalergjene, sigurohuni që t’a aplikoni kremin e diellit tek fëmija juaj 15 minuta përpara se të dilni, më pas çdo 2 orë në mënyrë që lëkura e fëmijës tuaj të jetë gjithmonë e mbrojtur.
Mbrojta më e mirë ndaj diellit për fëmijët nga 6 muajsh deri në 5 vjeç
Ndërkohë që qëndroni jashtë me foshnjën ose fëmijën tuaj, përdorni vazhdimisht krem dielli me faktorin mbrojtës 30 dhe me përbërje titani dhe oksid zinku. Kushtojuni vëmendje të veçantë pjesëve që janë më të predispozuara për t’u djegur si veshët, hunda, supet si dhe pjesa e pasme e qafës të cilat janë më të ekspozuara në diell. Qëndroni larg kremrave të diellit që përdorin formula kimike për të arritur një mbrojtje afatgjatë ndaj diellit, gjë e cila nuk siguron plotësisht që do zgjasë, por që padyshim përmban më tepër kimikate për t’a realizuar këtë pretendim.
Mbrojtja më e mirë nga dielli për fëmijët mbi 5 vjeç
Sapo fëmijët mbushin moshën për të shkuar në shkollë, ata kanë më shumë gjasa të kalojnë orë më të gjata jashtë. Në moshën 5 vjeç lëkura nuk është më aq e ndjeshme sa më përpara, prandaj disa prindër fillojë të përdorin krem dielli me formula kimike dhe nuk përdorin më kremrat me mbrojtje maksimale.
Deri më sot nuk ka patur studime që tregojnë se kremrat e diellit të cilët kanë në përbërjen e tyre kimikate janë të pasigurtë në një kohë afatgjatë, dhe FDA vazhdon t’i aprovojë këto produkte për t’u mbrojtur nga dielli. Sidoqoftë specialistët akoma nuk janë plotësisht dakord nëse substancat kimike që përmbajnë kremrat e diellit (të cilat konvertojnë dritën në ngjyrë), janë të dëmshëm për lëkurën e ndjeshme të fëmijës apo jo.
Mesazhi: Përdorni kremin me mbrojtje maksimale, të paktën derisa fëmija juaj të bëhet 5 vjeç si një përkujdesje shtesë për lëkurën e të vegjëlve tuaj.
Siguroni një fustan të përshtatshëm gjatë qëndrimit në diell dhe në nxehtësi
Për të mbuluar lëkurën e vajzës tuaj të vogël mund të zgjidhni një fustan të përshtatshëm, sepse një tjetër aspekt i rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijës nga djegia dhe goditja e diellit është të vishni rrobat e duhura. Fëmija duhet të veshë rroba me ngjyra të çelura nga të cilat mund të depërtojë ajri. Do të ishte një ide e mirë që kur udhëtoni të blini veshje me filtra mbrojtëse ndaj rrezatimit ultraviolet. (ju këshilloj të lexoni gjithmonë etiketat e veshjeve që blini). Mos lejoni që fëmija juaj të veshë rroba të ngushta të cilat do t’ia vështirësojnë lëvizjen dhe të jenë aq të ngjitura me lëkurën sa t’i shkaktojnë më tepër irritim. Një elemnt thelbësor i veshjes është kapelja e cila duhet gjithashtu të jetë me ngjyra të hapura dhe të depërtojë ajri. Është e rëndësishme që kapelja të mbulojë jo vetëm kokën, por edhe fytyrën dhe qafën e fëmijës. Kur fëmija del në diell ne duhet t’i vendosim kapelen.
Mos e mbuloni fëmijën tuaj nëse ai është duke luajtur në hije. Koka e fëmijës është një sipërfaqe e madhe që luan një rol të rëndësishëm në shkëmibimin e nxehtësisë dhe në rregullimin e temperaturës së trupit. Nëse është vapë, lejojeni fëmijën të vishet siç jeni veshur ju, sepse edhe ai ka vapë gjithashtu. Përpiquni që t’i kontrolloni temperaturën fëmijës rregullisht duke e prekur në qafë, dhe nëse është tepër e lartë ose e ulët mos e neglizhoni – ju mund t’i vishni diçka ose t’i hiqni diçka (në varësi nga temperatura).
Çfarë duhet të bëjmë kur fëmija digjet?
Në rastet kur dyshojmë se fëmija ka shumë nxehtësi, ne menjëherë duhet të shkojmë në shtëpi dhe t’i veshim fëmijës tonë të dashur rroba të thata. Nuk duhet t’a freskojmë menjëherë, por gradualisht në mënyrë që fëmija të mos ftohet. Nëse një fëmijë digjet nga dielli, gjëja e parë që duhet të bëjmë është:
- të freskojmë pjesën e djegur të lëkurës – kompresa të ftohta (për shembull, një pëlhurë pambuku e lagur) do të ishte shumë efektive.
- telefononi mjekun pediatër nëse fëmija juaj është nën 1 vjeç ose më shumë dhe ka flluska, dhimbje të forta, letargji ose temperaturë të lartë.
- mos aplikoni yndyrë në vend të kremrave me vaj apo ta mbuloni me fashë pjesën e djegur.
- sigurohuni që fëmija juaj të marrë një sasi të madhe lëngjesh kështu që ai mund të shërohet në mënyrë të shëndetshme.
- këshillohet që të përdoren preparate të gatshme për djegie të cilat mund t’i gjeni në farmaci.
- pas mdihmës së parë dhe derisa djegia të shërohet plotësisht, evitoni ekspozimin në diell.
Hidratimi i foshnjave
Është shumë e rëndësishme që t’u jepni fëmijëve tuaj lëngje (veçanërisht ujë), për më tepër kur temperaturat jashtë janë shumë të larta. Fëmijët deri në 6 muajsh të cilët ushqehen kryesisht me gji, ka më shumë gjasa që të kërkojnë qumësht – mos refuzoni që t’i ushqeni fëmijët me gji. Ndërsa fëmijët më të rritur duhet të mësohen të pijnë sa më shumë ujë në sasi të vogla gjatë gjithë ditës. Një fëmijë nga mosha 1-3 vjeç duhet të pijë rreth 1300 ml lëngje në ditë, përfshirë edhe ujin.
Shpresoj që këto këshilla të thjeshta të jenë të dobishme për ju dhe familjen tuaj.
Ju uroj të gjithëve pushime të lumtura dhe të keni kujtime sa më të bukura me fëmijët tuaj!