Skip to content Skip to footer

Ndërkohë që po kthehesha nga shkolla me djalin tim, i cili është në klasën e katërt, i bëra pyetjen time të zakonshme “Si kalove sot?” dhe mora po atë përgjigje të ftohtë dhe indiferente që marr gjithmonë “Mirë!” E njëjta gjë më ndodhi edhe me vajzën time kur po ktheheshim nga kopshti. Kur e pyeta se Çfarë bëre sot?”, ajo u përgjigj “Nuk më kujtohet”.

Hajde tani! Më trego diçka. Është e pamundur që mos të të kujtohet asgjë. Sapo u ktheve nga shkolla apo jo? Më trego diçka rreth shkollës.

Këmbëngula për të marrë më tepër informacion, por jo… ata sërish më dhanë të njëjtën përgjigje “Shkoi mirë. OK. Në rregull”.

Duke diskutuar edhe me mamatë e tjera në lidhje me këtë çështje, kuptova që këtë shqetësim nuk e kam vetëm unë! Ufffff. Ne të gjitha kemi të njëjtin problem kur bëhet fjalë për pyetjen “Çfarë bëre sot?” sepse siç ato më siguruan, edhe fëmijët e tyre japin po të njëjtën përgjigje: “ASGJË!”

Duket sikur këta fëmijë po bëjnë një komplot kundër nesh.

Ndonjëherë do të doja të isha një flutur në muret e shkollës së tyre për të parë se çfarë bëjnë kur unë nuk jam aty. Ndoshta mendoni se jam çmendur, por në fakt jam thjeshtë kurioze.
Për fatin tim të keq nuk mund t’a bëj këtë, por me siguri ne mund të bëjmë shumë më tepër se kaq. Pra, në vend që unë të bëj pyetje do të ishte më e dobishme që të dëgjoj dhe të mësoj. Po për çfarë duhet t’i pyes ata konkretisht? Si mund t’ia ushqej këtë dëshirë fëmijës tim që të ndajë eksperiencat e tij me mua?

Me siguri problemi qëndron tek unë. Pyetja “Si kalove sot?” nuk i jep shume hapësirë fëmijës për t’u përgjigjur. Nuk të ndihmon për të filluar bisedën, është jo frymëzuese, tepër e përgjithshme dhe për të qënë e sinqertë është shumë e mërzitshme.
Kështu që për të gjetur alternativa të reja le të shikojmë se çfarë thonë ekspertët rreth kësaj çështjeje. Më poshtë kam hartuar disa pyetje të cilat me siguri do të nxisin fëmijët të përgjigjen me fjali më të gjata dhe të tregojnë më tepër rreth vetes.

Këto janë disa këshilla të përgjithshme që do t’ju ndihmojnë të bëni një bisedë më të këndshme me fëmijët tuaj:

1.Mos e bombardoni fëmijën me pyetje menjëherë.
Kjo mund të jetë tepër e lodhshme për ta. Ata mund të jenë të lodhur ose thjeshtë nuk janë gati për të biseduar sapo futen në makinë, kështu që jepuni atyre pak kohë.

2.Bëni pyetje të përcaktuara.
Në këtë mënyrë ju mund të merrni më tepër informacion rreth tyre, mendoni për histori të gjata dhe përshkrime më të detajuara.

3.Bisedoni në mënyrë spontane me ta.
Nëse ata ndihen nën presion për t’u përgjigjur ose ju thjeshtë nuk po bëni pyetjet e duhura, atëherë me shumë mundësi nuk do të jenë të gatshëm t’ju përgjigjen.

4.Nëse e shikoni që nuk janë të tërhequr nga biseda, bëni një pauzë.
Kur filloni të bisedoni rreth ditës së tyre dhe shikoni që ata nuk kanë dëshirë të përgjigjen për momentin, atëherë provojeni më vonë. Ndoshta nuk është momenti juaj, kështu që do të ishte më mirë të bëni një pushim dhe të riktheheni sërish në një moment të dytë.

Më poshtë janë paraqitur disa alternative të cilat mund të zëvëndësojnë pyetjet klishe: “Si kalove sot?” apo “Çfarë bëre sot?”.

Psikiatristi dhe autori bestseller Dr. Carole Lieberman sugjeron disa pyetje që mund të na shërbejnë gjatë komunikimit me fëmijët tanë, si për shembull:
  1. Çfarë të pëlqeu më shumë nga dita jote sot?
  2. A ndodhi ndonjë gjë që të bëri të ndihesh keq?
  3. Cila ishte gjëja më interesante që mësove sot në shkollë?
  4. A bëre ndonjë shok të ri sot? Si quhet? Çfarë të pëlqen më shumë tek ai?
  5. A ka ndonjë gjë që mund të të ndihmoj?
Eve Del Monte, LCPC of Toëson Mental Health propozon disa alternativa të tjera po aq të vlefshme, si:
  • Çfarë të pëlqen të bësh gjatë pushimit?
  • Cila është gjëja më idiote që të ka ndodhur sot?
Parenting Coach Fern Weis sugjeron:
  • Çfarë të pëlqen tek vetja jote?
  • Nëse do të mund të ishe dikush tjetër për një javë, kush do të doje të ishe?
  • Çfarë do të doje të kishe bërë ndryshe sot?
  • Çfarë do të doje të ndryshoje në lidhje me shkollën?
  • A ka ndonjë në shkollën tënde që do të doje t’a kishe shok?
  • Çfarë cilësish duhet të ketë dikush për të qënë një mik i mirë?
Autori bestseller dhe themeluesi i Prindërimit pozitiv: Toddlers and Beyond, Rebecca Eanes rekomandojnë pyetjet e mëposhtme:
  • Kë ndihmove sot?
  • Kush u tregua i sjellshëm me ty sot?
  • A vure re ndonjë gjë që të tjerët ndoshta nuk e vunë re?
  • Kam nevojë të qesh. Më trego diçka gazmore që të ndodhi sot në shkollë.
Eksperti i Zhvillimit të Fëmijës dhe themeluesi i The Thoughtful Parent, Amy Webb propozon:
  • Kush u ul afër teje gjatë drekës?
  • Çfarë të bëri të lumtur sot?
  • A kishte ndonjë gjë që të mërziti?
  • Me kë luajte sot?
  • Çfarë libri lexove në orën e historisë?
  • A mësove ndonjë gjë të re?
  • Çfarë të bëri përshtypje sot?
  • A bëre ndonjë gjë ndryshe nga herët e tjera?
Rachel Macy Stafford, autori bestseller i New York Times i Hands Free Mama rekomandon këto pyetje:
  • A kishte ndonjë moment që u ndjeve i shqetësuar sot?
  • A u ndjeve i frikësuar në ndonjë moment gjatë ditës?

Ju këshilloj t’i provoni! Unë e bëra dhe zbulova se me anë të pyetjeve të duhura fëmijët mund të japin përgjigje më të gjata se sa thjeshtë një fjalë e vetme.

Pasdite të këndshme me fëmijët tuaj!

Leave a comment

0.0/5

Le të qëndrojmë në kontakt!

Regjistrohu për të marrë lajme dhe informacione mbi kurset dhe ofertat e ardhshme.

Mom’s Joyful © 2024. Të gjithë të drejtat e rezervuara. Zhvilluar nga Torkhan Digital Agency

Subscribe for my updates!