Fëmijët padyshim janë një nga dhuratat më të mëdha në jetë – por të rrisësh fëmijë të dashur dhe të lumtur në këtë botë moderne mund të jetë sfiduese për çdo prind. Ndonjëherë përveç përqafimeve dhe përkëdheljeve ne përballemi edhe me netët e tyre pa gjumë, sëmundjet, zemërimin, zënkat me vëllezërit e motrat dhe sfida të tjera pafund me të cilat duhet të përballet një prind.
Jeta ime është ndikuar jashtëzakonisht nga puna e një gruaje të mrekullueshme e cila quhet Maria Montessori, (për më tepër mund të lexoni historinë time këtu: link Rreth meje). Për këtë arsye përpiqem që të përfshij në jetën time të përditshme të gjitha njohuritë dhe strategjitë praktike që ajo na ka mësuar. Pikëpamjet e saj kanë ndikuar jo vetëm tek unë, por edhe tek mijëra prindër në mbarë botën. Shkolla Montessori dhe i gjithë sistemi është testuar prej më shumë se 100 vitesh parimet e të cilit mund t’i praktikoni edhe në shtëpinë tuaj.
Për t’a bërë këtë gjë, nuk duhet të jesh domosdoshmërisht një mësues Montessori, thjeshtë përpiquni të vini në zbatim sa më tepër këshilla nga ky blog. Në këtë formë unë besoj se pak nga pak do të arrini të fitoni më tepër aftësi si prind dhe kështu do të mund të ndërtoni një shtëpi të mbushur me ngrohtësi, dashuri, mirësi dhe respekt.
Një nga shtyllat kryesore të sistemit Montessori është “Pavarësia e fëmijës”. Të gjithë fëmijët kanë dëshirë të jenë të pavarur, dhe ndërkohë që punojnë për t’a arritur këtë, ata argëtohen duke praktikuar dhe duke mësuar aftësi të reja.
Që në moshë të hershme, fëmijët kanë dëshirë të praktikojnë aftësi të cilat do t’i bëjnë ata të pavarur. Mënyra më e mirë për t’a arritur këtë është t’i mësojmë fëmijët të bëjnë disa gjëra për veten e tyre, si: të vishen vetë, të lahen, të shërbejnë pijet vetë dhe të përgatisin vakte të vogla.
Në varësi të moshës së tyre, fëmijët e vegjël, mund të jenë shumë të dobishëm në punët e shtëpisë. Ata mund të pastrojnë dhomën e tyre, të presin perimet, të sistemojnë, të fshijnë pluhurat si dhe të ndihmojnë në kuzhinë ndërkohë që ne gatuajmë. (këtë të fundit e praktikoj kryesisht me vajzën time).
Sigurisht që fëmijët nuk janë të aftë të bëjnë çdo gjë që aq mirë sa mund t’a bëjmë ne, dhe nganjëherë duket më e thjeshtë t’i bëjmë vetë disa gjëra sesi t’u kërkojmë ndihmë atyre. Por nëse ne gjejmë kohë të përgatisim ambjentin dhe kemi durim t’i mësojmë hap pas hapi sesi bëhen gjërat, atëherë ata do të arrijnë të fitojnë aftësitë e duhura për t’a kryer punën siç duhet.
Nga filozofia Montessori kam mësuar, se rruga e duhur për të nxitur një fëmijë të mësojë një aftësi të re është t’u demostrojmë atyre në mënyrë të thjeshtë, të saktë dhe të ngadaltë, kështu që ata mund të kuptojnë se si kryhet veprimi. Më pas jepuni atyre mundësi të praktikojnë atë që mësuan, lërini ata të gabojnë dhe në fund korrigjojini.
Unë thjeshtë kam filluar t’a shikoj botën nga prespektiva e një fëmije. Duke i vënë atij kufij dhe duke e udhëzuar me kujdes, i jap mundësinë që të bëjë vetë gjëra për veten e tij si dhe i mësoj të ketë vetëbesim dhe respekt gjë e cila do t’a bëjë atë të pavarur.
Shumica e gjërave që ne bëjmë çdo ditë përfshin aftësi të ndryshme, të cilat sigurisht i kemi mësuar në mënyrë graduale me kalimin e kohës. Duke e ndarë punën në hapa të caktuar unë mund t’i mësoj fëmijës tim të përvetësojë çdo nivel vështirësie hap pas hapi.
Kjo metodë më ndihmon veçanërisht kur dua t’u mësoj atyre si të zbrazin makinën larëse, të kombinojnë çorapet e lara me njëri-tjetrin ose të ujisin lulet në kopësht. Unë ju shpjegoj secilin hap me pak fjalë ndërkohë që e DEMOSTROJ veprimin, në mënyrë që fëmija të përqëndrohet më tepër në atë çfarë bëj se sa në atë që them. Më pas i lejoj të praktikohen, derisa të përvetësojnë siç duhet secilin hap.
Natyrisht, fëmijët kanë dëshirë të qëndrojnë afër nesh kur janë të vegjël.
Duke qënë se fëmijët e mi kanë shumë dëshirë të ndihmojnë me lavanderinë, unë ju mësova atyre se në momentin kur makina larëse ndalon punën, atëherë procesi ka përfunduar dhe rrobat janë gati për t’u nxjerrë. Ata dinë gjithashtu se ku duhet të marrin koshin e rrobave, si të vendosin rrobat në makinën larëse si dhe të më ndihmojnë t’i var rrobat për t’u tharë.
Sigurisht, nuk është qëllimi t’i kthejmë fëmijët në shërbëtorë të vegjël. Ne duhet t’a pranojmë që në disa raste ata kanë shumë dëshirë të ndihmojnë, por në raste të tjera ata mund të jenë të angazhuar në ndonjë aktivitet tjetër.
Ka më shumë gjasa që një fëmijë i vogël (foshnjë) t’ju ndjekë nëpër shtëpi dhe të mundohet t’ju ndihmojë më tepër sesa një fëmijë pak më i rritur. Këta të fundit presin që dikush tjetër të bëjë diçka për ta.
Pra, a është e mundur t’i bëjmë fëmijët të ndihmojnë në shtëpi? Sigurisht që po!
Kam kuptuar se nëse gjejmë mënyrën e duhur, me durim, pa u bezdisur, pa kritikuar dhe pa i bërë për së dyti gjërat që kanë bërë fëmijët (sepse me siguri nuk janë perfekte), atëherë ata do të jenë të motivur për t’u kujdesur më tepër për shtëpinë!
Sipas Maria Montessori-t, “Thelbi i pavarësisë është të jesh i aftë të bësh diçka për veten tënde, dhe një gjë e tillë nuk është thjeshtë një lojë. Është diçka që fëmijët duhet t’a bëjnë patjetër në mënyrë që të rriten.”
Duke i udhëzuar ata me kujdes, shumë shpejt do të arrijnë të kujdesen për veten e tyre dhe të ndihmojnë në punët e shtëpisë. Të jeni të sigurtë që fëmijët do të jenë shumë të lumtur t’i praktikojnë këto aftësi.
Fëmijët të cilët bëjnë punë shtëpie, mësojnë të jenë të përgjegjshëm dhe fitojnë aftësi të rëndësishme që do u shërbejnë gjatë gjithë jetës. Përveç kësaj, ata do të jenë më të lumtur nëse japin një kontribut në shtëpinë e tyre sesa të jenë thjeshtë spektator.
Kështu që le t’u japim atyre mundësinë të rriten. Nëse ne i lavdërojmë për kontributin që japin në shtëpi, kjo do t’i bëjë ata të ndihen krenar për veten e tyre si dhe do të jenë të motivuar të bëjnë akoma më tepër.