Më në fund ne mund t’a pranojmë se: të jesh nënë është shumë e vështirë. Të paktën ndonjëherë po. Të ndërtosh një karrierë është stresuese. Të balancosh karrierën dhe mëmësinë duket gati e pamundur—dhe ju e keni kuptuar këtë. Edhe nëse zgjedh të qëndrosh në shtëpi, të kesh nje punë fleksibël, apo të përfshiheni në punë, titulli juaj si “Mama” është padyshim më i rëndësishmi. Por në vetëm kaq pak orë në javë, ju duhet të vendosni se si të menaxhoni jetën familjare dhe punën.
Fillimisht, ju duhet të dini së është mëse normale të ndiheni të lodhura, dhe është e drejtë të siguroheni se po i jepni secilit rol kohën e duhur. Është e rëndësishme të kujtoni gjithmonë se pavarësisht se si ia bëni, ju e dini cila është gjëja e duhur.
Më poshtë ju ftoj të lexoni disa këshilla mjaft të vlefshme nga disa mama të famshme që do t’ju bëjnë t’i shikoni gjërat me një tjetër sy.
A jeni ndjerë ndonjëherë si Jennifer Aniston tek komedia “Marley”, e cila thoshte: Kur jam në shtëpi, mendoj për punën dhe kur jam në punë, mendoj vetëm për shtëpinë!
Unë po! Dhe e dini pse? Sepse është normale. Por lajmi i mirë është se ju nuk jeni vetëm në këtë betejë të vazhdueshme. Në fakt ka kaq shumë gra të jashtëzakonshme që ia kanë dalë të jenë të suksesshme edhe në karrierë edhe si nëna. (Përveç kësaj, shkenca ka vërtetuar se të jesh një mama që punon, nuk i dëmton fëmijët. Përkundrazi!)
Sheryl Sandberg (e cila është krahu i djathtë i Mark Zuckerberg në Facebook) thotë: “Në fillim nuk e kuptoja plotësisht. Nuk e kuptoja se sa e vështirë ishte të arrije rezultatet e duhura në punë kur ndihesh e dëshpëruar në shtëpi….Të jesh mama është puna më e rëndësishme dhe më modeste (në kuptimin e pozitës) që kam patur ndonjëherë.”
Bëni që partneri juaj të jetë një partner i vërtetë
“Në qoftë se një grua dhe një burrë punojnë me kohë të plotë, dhe kanë edhe një fëmijë, gruaja bën DY HERË MË SHUMË PUNË SHTËPIE se sa bën një burrë, dhe ajo kujdeset TRE HERË MË SHUMË PËR FËMIJËN se sa ai. Pra, një grua bën 3 punë ndërsa një burrë 1. Ne duhet t’a ndryshojmë këtë.
Ti po i jep një model të shkëlqyer fëmijës tënd
Ti je shembull për fëmijët e tu. Duke ju parë ju, ata do të mësojnë se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar, dhe duke ju dhënë atyre shembullin e një mamaje që punon, ju u jepni atyre përgjigjen për shumë zgjedhje që duhet të bëjnë në të ardhmen.
Victoria Beckham: “Ashtu si shumë nëna të tjera që punojnë në gjithë botën, ndiej një luftë të vazhdueshme me veten për të qënë një mama sa më e mirë të jetë e mundur. Edhe kur më duhet të udhëtoj për çështje pune e ndiej gjatë gjithë kohës mungesën e tyre” –me siguri ju ka ndodhur edhe juve, apo jo?
Mos harroni cila është gjëja më e rëndësishme
Michelle Obama: “E vërteta është se pavarësisht se unë jam zonja e parë dhe ai është president, puna jonë kryesore është të sigurohemi që fëmijët tanë janë në qëndër të vëmendjes. Kjo është trashëgimia më e madhe që do të lëmë.”
Flisni hapur
Shpjegojuni fëmijëve tuaj se pse duhet të shkoni në punë, çfarë pune bëni dhe si. Përgjigjuni pyetjeve të tyre dhe merrini ata seriozisht, pra flisni hapur me ta rreth punës tuaj.
Është shumë normale të jesh përzgjedhës dhe të kesh prioritete
Kim Kardashian: “Sigurisht që është diçka pozitive të krijosh një balancë ndërmjet karrierës dhe prindërimit , por gjëja kryesore është të vendosim prioritete. Ju bëheni selektiv dhe punoni vetëm në projekte që janë shumë të rëndësishme sepse dëshironi që çdo moment tjetër t’a kaloni në mënyrë sa më cilësore me familjen tuaj. Megjithatë, mos harroni të gjeni pak kohë për veten tuaj. ”
Harrojeni ndjenjën e fajit
Katie Couric: “Largojeni ndjenjën e fajit…Kur ju ndodheni diku, mos u ndjeni keq që nuk jeni duke punuar dhe kur jeni në punë mos u ndjeni keq se pse nuk jeni në shtëpi.”
Ju mund t’a bëni të pamundurën të mundur
Tina Fey: “Mendoj se çdo mama që punon ndjen të njëjtën gjë: Ju kaloni shumë kohë duke i thënë vetes “Kjo është e pamundur. Nuk ia dal dot.” Dhe më pas ju thjeshtë vazhdoni përpara dhe pa e kuptuar keni bërë atë që në fillimi ju dukej e pamundur.”
Është e drejtë që të vendosni kufij
Ruth Bader Ginsburg: “Kur unë fillova shkollën për drejtësi, vajza ime, Jane, ishte 14 muajshe dhe unë ia dedikova suksesin tim në shkollë kryesisht asaj. Unë vazhdoja mësimin në orën 8:30 dhe kthehesha në shtëpi në orën 4:00 pasdite, dhe më pas e gjithë koha ishte në dispozicion të vajzës time. Ky ishte për mua si një relaks total dhe koha që unë kaloja me të vazhdonte derisa Jane duhet të flinte. Pastaj isha shumë e lumtur të rikthehesha sërish tek librat, kështu që njëra pjesë e jetës kompensonte tjetrën.”
Kini parasysh qëllimin tuaj të vërtetë
Serena Williams- “Duke e ditur se më pret një krijesë e mrekullueshme, kur të kthehem në shtëpi, ndiej se nuk kam nevojë të luaj asnjë ndeshje tjetër, nuk kam më nevojë për para, tituj apo prestigj. I dua, sigurisht, por nuk kam nevojë për to për të qënë e lumtur. Kjo është një ndjenjë krejt ndryshe për mua.”
Ka kaq shumë anë positive që sjell puna të cilat duhet t’i vlerësojmë. Unë jam e ndërgjegjshme se nuk punoj vetëm për veten time, por edhe për të vegjëlit e mi në shtëpi, të cilët shikojnë se çfarë bëj unë dhe në këtë mënyrë ata mësojnë se mund të bëjnë çdo gjë që ia vënë qëllim vetes, që pavarësisht se ndonjëherë është e vështirë, ata duhet të përqëndrohen, të vendosin prioritete, të sakrifikojnë dhe të punojnë shumë për të arritur atë që duan.
Të jesh edhe mama edhe profesioniste janë dy pjesë shumë të rëndësishme të miat që më bëjnë njeriun më të mirë që mund të jem.
Nëse jeni të interesuara ju lutem lexoni shkrimin tim të mëparshëm: “Një letër për të gjitha nënat që punojnë ” mund t’a gjeni këtu.