Siç kam shkruar edhe në artikullin tim të mëparshëm (për të cilin mund të lexoni këtu), ka një periudhë të ndjeshme për fëmijët gjatë të cilës ata mund të mësojnë gjuhët.
“Ekziston një mekanizëm i veçantë për gjuhën. Jo për zotërimin e gjuhës në vetvete, por për zotërimin e mekanizmit që u mundëson njerëzve t’a bëjnë gjuhën të veten. Si pasojë, FJALËT prodhohen falë “makinerisë” që fëmija ka në dispozicion.” (Maria Montessori, Mendja absorbuese, 1967a/1995, p. 119).
Unë jam polake dhe bashkëshorti im është shqiptar (këtu mund të lexoni për historinë time). Aktualisht ne po jetojmë në Tiranë, por më parë ne kemi jetuar në Itali dhe Poloni për shumë vite. Fëmijët e mi mund të komunikojnë në 4 gjuhë: POLONISHT, ITALISHT, SHQIP DHE ANGLISHT: në bazë të nevojave të tyre ata natyrshëm kalojnë nga njëra gjuhë në tjetrën.
Gjithçka fillon që në barkun e nënës kur nëna i flet në mënyrë personale fëmijës së saj. Ajo duhet të përdorë gjuhën mëmë e cila më pas do të shërbejë si një bazë e fortë për të përvetësuar gjuhë të tjera.
Kur fëmija lind, ndërkohë që nëna i flet atij, fëmija vëzhgon gojën e saj. Teknologjitë e sofistikuara të ndjekjes me sy, kanë treguar së fundmi se një foshnjë 4 muajsh e shikon nënën e tij tek pjesa e gojës; dhe pas 12 muajsh, vëmendja e tyre përqëndrohet kryesisht tek sytë ndërkohë që flitet gjuha e tyre amtare (por jo nga të huajt). (Lewkowicz&Hansen-Tift, 2012).
Ndjeshmëria e foshnjave ndaj zonës së gojës ndërkohë që ata janë duke mësuar një gjuhë, mëndohet se i ndihmon ata të prodhojnë tingujt që ata kanë nevojë për të mësuar gjuhën: kini parasysh se kjo ndjeshmëri është më e fortë kur foshnja fillon të belbëzojë siç duhet pas 8 muajsh.
Sapo fëmija të jetë në gjendje të ulet dhe të përqëndrohet, ai do të shijojë periudha të shkurtra në prehrin tuaj duke parë libra me figura dhe duke ju dëgjuar teksa flisni rreth figurave që gjenden në faqet e librit.
Ndërkohë që fëmija rritet, ju duhet t’i lexoni atij çdo ditë, jo vetëm në kohën e gjumit, por sa herë të keni mundësi.
Ata do të mësojnë gjuhë të tjera pa ndonjë përpjekje të madhe, megjithëse kërkon edhe pak ndihmë nga ana e të rriturve për të qenë të suksesshëm.
Nëse në shtëpi flitet më tepër se një gjuhë, atëherë ne mund të përdorim metodën One Person One Language – Një njeri një gjuhë (OPOL).
Në bazë të kësaj metode secili prind zgjedh të flasë me fëmijën në gjuhën e tij amtare dhe ata bien dakord të përdorin “gjuhën e familjes” të cilën e përdorin kur janë të gjithë sëbashku.
Eksperienca ime personale me gjuhët në shtëpi
Në familjen tonë, unë flas polonisht me fëmijët e mi kur ne jemi vetëm. Babai i tyre flet shqip me ta dhe të dy sëbashku, si prindër, flasim italisht kur jemi sëbashku. Në shkollë fëmijët mësojnë dhe studiojnë Anglisht. Në fakt ne e përdorim metodën OPOL me disa devijime të vogla.
Fëmijët kanë frekuentuar çerdhe dygjuhëshe dhe gjatë asaj kohe ishin në kontakt me gjuhën shqipe dhe atë angleze. Tani ata shkojnë në shkolla ndërkombëtare ku janë të ekspozuar kryesisht ndaj gjuhës angleze. Për më tepër, djali im përveç gjuhës shqipe bën edhe mësime frëngjishtjeje çdo ditë në shkollë.
Kur gjyshja nga Polonia vjen të na vizitojë, ata automatikisht kalojnë në këtë gjuhë dhe gjatë asaj kohe ne flasim polonisht. Kur gjyshja tjetër është me ne, ata në mënyrë të natyrshme flasin shqip me të. Është komike fakti sesi fëmijët përpiqen të përkthejnë bisedat ndërmjet dy gjysheve dhe përpiqen të bëjnë lidhje ndërmjet gjuhëve. Duhet t’a them që përvetësimi i gjuhës në familjen tonë ka ardhur gradualisht dhe pa ndonjë përpjekje shtesë nga ana jonë, përveç faktit se ne duhet të respektojmë gjuhët tona amtare kur flasim me fëmijët; kjo ndonjëherë është e vështirë. Mjedisi dhe gjuhët ndaj të cilave ata ishin të ekspozuar, bënë që fëmijët tanë të jenë më të vëmendshëm ndaj gjuhës së folur. Gjithashtu fakti që ata kanë dëgjuar shumë gjuhë të ndryshme që nga lindja, bëri që të ushtroheshin dhe të mësoheshin me to. Siç e dimë të gjithë, vetëm praktika të bën të përsosur.
Çfarë mund të bëni për t’i mësuar fëmijës tuaj një gjuhë të re?
- Flisni sa më shumë
Ndërkohë që ju kujdeseni për foshnjën ose vogëlushin tuaj, flisni për atë që jeni duke bërë. Kjo bën lidhjen ndërmjet veprimit dhe gjuhës, si dhe ndihmon fëmijën të krijojë një fjalor më të gjerë. Flisni për veprimet që bën fëmija juaj gjatë kohës që ato ndodhin: “Ti duhet të jesh i etur, përderisa po pin kaq shumë ujë sot”. Flisni qartë dhe tregohuni specifik në atë që thoni. - Zona jonë
Ka një tjetër metodë të quajtur Zona Jonë. Kjo do të thotë që ne kemi rënë dakord me kohën dhe vendin se kur duhet të përdorim një gjuhë të caktuar. Për shembull në fundjavë familja zgjedh të flasë anglisht; Ose jashtë shtëpisë ata zgjedhin të flasin gjuhën e vendit në të cilin ndodhen dhe kur janë në shtëpi flasin gjuhët amtare të prindërve. - Kini parasysh qëllimet se pse fëmija juaj duhet të mësojë gjuhët.
Nëse qëllimi juaj është që fëmija gradualisht të bëhet i aftë të studiojë një gjuhë të caktuar, atëherë ata duhet të shpenzojnë afërsisht 30% të javës me këtë gjuhë. Llogarisni orët që fëmija juaj është zgjuar dhe shikoni nëse është e nevojshme që ai të jetë më tepër në kontakt me një gjuhë. Për shembull, një adoleshent, ose një babysitter me të cilin fëmija mund të luajë ose të flasë do t’a ndihmonte shumë atë për të përvetësuar gjuhën. - Jini kreativ!
Disa prindër shqetësohen se fëmija i tyre mund të ketë një vonesë gjuhësore nëse ai rritet duke qënë në kontakt me dy gjuhë njëkohësisht. Por, studimi tregon se kur ata kanë më shumë se një gjuhë ata nuk do të kenë asnjë vonesë në të nxënë. Nëse ne krahasojmë një 1.5 vjeçar i cili është njëgjuhësh dhe një fëmijë tjetër të së njëjtës moshë por që është dygjuhësh, ne do të vërejmë se në rastin e parë fëmija mund të zotërojë 10 fjalë, ndërsa në rastin e dytë fëmija mund të zotërojë 5 fjalë në njërën gjuhë dhe 5 fjalë në gjuhën tjetër. Pra, mund të duket se niveli i tyre gjuhësor është më i ulët, pavarësisht se ata mund të thonë gjithsej 10 fjalë si në rastin e parë.Për më tepër mund të lexoni “Lexical Development in Bilingual Infants and Toddlers: Comparison to Monolingual Norms” nga Barbara Pearson.
Gjithashtu studimi nuk i mbështet prindërit që t’a braktisin gjuhën e tyre amtare në mënyrë që fëmija të mësojë gjuhën e vendit ku ndodhet. Siç e thashë edhe më lart, gjuha mëmë duhet të jetë e fortë në mënyrë që të përvetësohen edhe gjuhë të tjera.Ajo çfarë duhet të bëjmë është të rrisim ekspozimin e tyre ndaj gjuhës së vendit ku jetojnë për t’u siguruar që të marrin mjaftueshëm informacion.Unë ju rekomandoj “A Parents’ and Teachers’ Guide to Bilingualism” nga Colin Baker për të gjithë ata që kanë pyetje lidhur me mësimin e shumë gjuhëve njëkohësisht.
Uroj të keni gjetur veten në këtë artikull.
Shihemi së shpejti!Xxx
Joanna