Nikol tha se ajo nuk dëshironte të lexonte një libër të pestë përpara se të flinte, ajo bërtiste: “Ti je mami më e ligë! Ti nuk je e ftuar tek festa ime e ditëlindjes!” Kur Darios iu kërkua të zgjedhë midis karrotave dhe djathit, dhe jo akullore para darkës, ai tha: “Nuk më pëlqejnë zgjedhjet që ti bën për mua!” Alex hodhi nga tavolina tasin me cereal-et e tij të preferuara dhe bertiti: “Unë thashë tasin e kuq, jo atë blu.”
Nëse ndonjë prej këtyre thirrjeve ju duket familjare, atëherë nuk jeni vetëm! Mirëseerdhët në atë që mund të quhet Perëndimi i Egër i fëmijërisë!
Por duke parë përmes syve të fëmijës, dhe përmes lenteve të zhvillimit, këto sjellje të çmenduar janë krejtësisht normale dhe tregojnë që kemi arritur në një moment të rëndësishëm të jetës së tyre. Për më tepër këto incidente nuk duhet të na trembin, sepse janë mundësi për t’u mësuar fëmijëve se si të menaxhojnë emocionet e tyre, si të përballojnë mërzitjen dhe zhgënjimin. Gjithashtu në këtë formë ata do të gjejnë mënyra për t’u ndjerë në kontroll në botët e tyre që gjithmonë zgjerohen në mënyrë sociale dhe të pranueshme.
Është shumë e rëndësishme të kemi pritshmëri të qarta sepse mënyra se si e kuptojmë sjelljen e një fëmije ndikon në mënyrën se si ne i menaxhojmë emocionet dhe reagimet tona për sjelljen në fjalë. Nëse ne e shikojmë sjelljen si manipuluese ose si të qëllimshme për të na çmendur atëherë ka më shumë gjasa që të reagojmë me zemërim në vend që të qetësojmë fëmijën tonë. Nëse ne i shikojmë këto sjellje në kontekstin e zhvillimit normal të fëmijës, atëherë ne do t’u drejtohemi me empati dhe do të kemi më tepër sukses për t’u mësuar atyre aftësitë e duhura për të përballuar situata të caktuara.
Më poshtë mund të lexoni disa faktorë të rëndësishëm që ndikojnë sjelljen e fëmijëve të vegjël, të cilët janë të rëndësishëm t’i keni parasysh kur përballeni me sjellje të tilla sfiduese:
1) Fëmijët e vegjël udhëhiqen nga emocionet, jo nga llogjika, kështu që sjellje të tilla acaruese janë normale dhe duhen pranuar. Fëmijët e vegjël nuk kanë një sens të vërtetë të kohës – ata jetojnë dhe veprojnë në moment. Kanë pak vetë kontroll dhe kërkojnë të marrin atë që duan në momentin që duan.
2) Fëmijët e vegjël po bëhen gjithmonë e më të vetëdijshëm që janë qënie të veçanta—që ata mund të kenë mendime dhe ndjenja ndryshe nga të tjerët. Kjo do të thotë se kur ata duan të flejnë tëk krevati juaj, ata e dinë se nuk është kjo ajo që ju keni në mendje. Ky moment njohës i rëndësishëm, i shoqëruar me tendencën e lindur të të vegjëlve për të ushtruara pak kontroll mbi botën e tyre, çon në një përpjekje të gjithanshme për t’ju bërë juve të mendoni si ata. Fëmijët janë tmerrësisht të zgjuar dhe do të provojnë të gjitha taktikat e mundshme që kanë në dispozicion (duke ju vënë emra të ndryshëm, duke ju kërcënuar se nuk do të shkojnë asnjëherë për të fjetur, duke u zvarritur në tokë ose duke kaluar shpërthime emocionale të momentit…etj). Kjo është ajo të cilën prindërit shpesh e quajnë “manipulim”, por mua më pëlqen t’a mendoj si diçka strategjike, ashtu siç ilustrohet mjaft bukur nga kjo 3-vjçare mendje mprehtë. Kur ajo bërtiste dhe kërkonte ushqim çdo natë pasi shkonte për të fjetur (dhe jo më tepër se 15 minuta pasi ajo kishte konsumuar një vakt të vogël gjatë kohës së leximit para gjumit) prindërit gjendeshin sërisht tek krevati i saj me ushqimin në duar. Mëngjesin tjetër, ajo i tha babit të saj, “Unë thjesht po të bëj me dije se sonte pasi të më vendosni për të fjetur unë do të jem shumë e uritur!”
3) Fëmijët e vegjël kanë ndjenja të forta, por shumë pak mjete për t’i menaxhuar ato në moshë kaq të vogël. Mendoni pak—shumë të rritur ende po punojnë për të qenë të vetëdijshëm për ndjenjat e tyre dhe përpiqen të reagojnë ndaj tyre në mënyrë të shëndetshme.
Por, çfarë duhet të bëjë një prind?
- Ruani kontrollin kur fëmija juaj është duke e humbur kontrollin. Të menaxhoni emocionet dhe reagimet tuaja është një nga mënyrat më të rëndësishme që një prind ka në dispozicion. Kur prindërit bëhen tepër reaktivë dhe emocionalë, ka gjasa që shqetësimi i fëmijës të përshkallëzojë dhe të intensifikohet lufta për pushtet. Kur fëmija është duke e humbur kontrollin, ai ka nevojë që ju të jeni shkëmbi i tij dhe të jeni të arsyeshëm dhe racional.
- Kini parasysh se ju në fakt nuk mund t’a detyroni fëmijën tuaj të bëjë asgjë – të hajë, të flejë, të shkojë në tualet, të flasë apo të kontrollojë një shpërthim emocional. Ajo mbi të cilën ju keni kontroll është mënyra se si u përgjigjeni veprimeve të fëmijëve, duke ditur se çfarë udhëzon dhe formon sjelljen e tyre. Nëse çastet e zemërimit bëjnë që fëmija në shenjë revolte të kalojë më tepër kohë në iPad, të shkojë më vonë për të fjetur, ose thjeshtë duke ju tërhequr më tepër vëmendjen, në këtë rast fëmija juaj thjeshtë po bën disa llogari: “Një strategji e shkëlqyer! Këtë të fundit vendoseni në kolonën e fitores.”
- Ky nuk është një manipulim, është një llogari e zgjuar, dhe kjo do të thotë se se ju po edukoni një fëmijë vërtetë të aftë. Ai po përpiqet të gjejë mënyra për t’u bërë ai që dëshiron, dhe kjo është fantastike. Është detyra jonë t’u mësojmë fëmijëve tanë se cilat strategji janë efektive dhe cilat jo. Pra, ato sjellje të cilat ju nuk keni dëshirë që fëmija juaj të mbështetet në to, nuk janë të suksesshme, ose çfarë do t’i motivonte ata të zgjoheshin në mëngjes?
- Shfaqni empati dhe merrini si të mirëqëna ndjenjat e tyre. “Unë e di që këmisha blu është e preferuara jote dhe ti je vërtetë i zhgënjyer që nuk mund t’a veshësh sot, por është tek rrobat e palara.” Problemi nuk qëndron tek ndjenjat, por tek mënyra se si ata reagojnë ndaj asaj që ndjejnë. Sa më shumë që ju t’i vlerësoni ndjenjat e tyre, ka më pak gjasa që ata të reagojnë keq ndaj tyre.
- Vendosni limite, krijoni zgjedhje të pranueshme.“Sot ti ke mundësi të zgjedhësh ndërmjet bluzës së verdhë dhe bluzës së kuqe.” Nëse fëmija juaj refuzon “zgjedhjet që ju keni zgjedhur” për të, atëherë bëjini të ditur se do të vendosni ju. Ai mund të inatoset shumë për momentin. Në mënyrën më të qetë të mundshme, gjejini atij një bluzë dhe largohuni, kështu ai do të shikojë pasojat e veprimit të tij. Në këtë mënyrë fëmijët mësojnë të marrin vendime të mira—duke parë rezultatet e zgjedhjeve të tyre dhe duke vlerësuar se prej cilave zgjedhje do të marrin atë që duan dhe prej cilave jo.
Nëse një zemërimi tyre bën që ju të të shkoni dhe të merrni bluzën blu nga makina larëse:
1) atëherë ju i jepni atij pritshmërinë e gabuar se ai do të marrë çdo gjë që dëshiron, kështu ai do t’a ketë më të vështirë të mësojë të jetë fleksibël dhe të pranojë alternativat—një aftësi thelbësore për t’ia dalë në jetë;
2) do t’i jepni atij mesazhin se shpërthimet emocionale ose refuzimi për të bashkëpunuar janë strategji të suksesshme, në të cilat ai do të mbështetet në mënyrë të natyrshme vazhdimisht;
3) do t’i tregoni atij se ju nuk e mendoni të aftë të përballojë zhgënjimin e tij, dhe kjo është një mundësi e humbur për të provuar se në të vërtetë ai mund të mbijetojë edhe nëse vesh një bluzë tjetër —në këtë mënyrë ai fiton fleksibilitet dhe aftësi të rëndësishme për të përballuar situata të caktuara.
Kur djali im ishte 3 vjeç dhe vajza ime 1, pas 600 netëve të njëpasnjëshme përpjekje për të zgjedhur librat që lexojmë para gjumit, vajza ime ngriti zërin dhe tha: “Unë dua Clifford!” Meqënëse dukej shumë normale për të që ajo më në fund pati mundësinë të zgjidhte, unë menjëherë fillova të lexoja për qenin e madh të kuq, kur djali im bërtiti: “UNË ASNJËHERË NUK E ZGJEDH VETË LIBRIN QË DUA TË LEXOJ!” Në çfarë planeti jeton? (tha një zë brenda kokës time). Nuk u tregova fare e arsyeshme! Unë u tregova krejtesisht e pakujdesshme, duke e bërë të ndihet i turpëruar që ishte aq egoist si dhe duke i thënë fjalë të papërshtatshme dhe jo efektive aq sa mbeti i grirë dhe nuk kishte më dëshirë as të më përqafonte para se të flinte.
Por në fund unë mësova nga gabimet e mia dhe u përpoqa të korrigjohem. Akoma po përpiqem të bëj më të mirën…Nuk është asnjëherë tepër vonë.