Siç e thashë edhe në postimin e mëparshëm, ketu mund të gjeni linkun e artikullit TË JESH NËNË ËSHTË E VËSHTIRË .
Të jesh nënë është një sport që vë në lëvizje të gjithë trupin. Pavarësisht se e gjithë mendja jonë është e mbushur me gjëra që duhet të bëjmë, ne kemi edhe një detyrë tjetër shumë të rëndësishme, të qëndrojmë një hap përpara fëmijëve tanë në mënyrë që të jemi të përgatitur ndërkohë që ata mësojnë të sfidojnë dhe të kalojnë limitet e tyre.
Kur ka qënë hera e fundit që jeni ndjerë të dëshpëruara? Javën e kaluar, dje apo sot në mëngjes? Më lini t’a gjej! Me siguri nuk ka kaluar shumë kohë. Nëse shkaqet janë të njëjta me ato të mamave që unë punoj, atëherë dëshpërimi mund t’ju kapë në çfarëdo lloj momenti dhe në çfarëdo lloj situate.
Në rastin më të mirë, ne mund të ndihemi të lodhura, madje edhe ajo më me eksperiencë nga ne. Dhe në rastin më të keq ne thjeshtë kemi nevojë për kafe, për shumë kafe në fakt, dhe më vonë verë. Na duhet shumë kohë për t’a marrë veten sërish.
Disa nga ne gjejnë forcë dhe frymëzim ditë pas dite në rolin e tyre si mama, ndërsa disa nga ne kanë nevojë për diçka ndryshe nga mëmësia për t’u ndjerë të plotësuara mjaftueshëm, që më pas të ndikojnë pozitivisht edhe tek familja e tyre.
Por lajmi i mirë është se, ka disa strategji shumë të thjeshta dhe efektive të cilat mund të rrisin nivelin e lumturisë. Ja disa prej tyre.
1.Gjeni 10 minuta kohë për veten tuaj
I vendosa vetes synim për të qënë më e lumtur. Madje premtova që do të merrem me sport, do të dëgjoj muzikë, do të fle më tepër dhe do të kaloj sa më shumë kohë cilësore me fëmijët e mi. Por problemi është se jeta ime asnjëherë nuk u bë aq e ngadaltë sa unë të gjeja kohë për këto rituale lumturie. Përgjegjësitë e ditës së djeshme ishin të pranishme edhe ditën tjetër dhe unë përfundoja duke u ndjerë e pashpresë, sepse thjeshtë asnjëherë nuk kisha mjaftueshëm kohë për të hapur të gjitha kutitë që supozohej të më bënin të lumtur.
Por, një ditë vendosa të filloj me diçka të vogël. Vendosa që të paktën për një ditë të mos bëja lista mbytëse me gjëra pafund për të bërë dhe të mos ndihesha fajtore për faktin se nuk shtova edhe diçka tjetër. Do të bëja vetëm një listë të thjeshtë, me pak gjëra. Zgjodha të filloj me 10 minuta në ditë. Për 10 minuta do të harroja çdo gjë dhe do të fokusohesha tek familja ime. Kaq e thjeshtë.
Ky plan i vogël, në fakt rezultoi shumë i suksesshëm. Kur unë fillova të përqëndrohesha, qëllimisht vura re gjërat e mira në jetën time, dhe fillova të ndihem e lumtur për faktin se isha e rrethuar nga njerëz që i doja. Edhe pse për 10 minuta, fillova të ndihem më e lumtur dhe më e lidhur me familjen time. Këto 10 minuta reflektimi në ditë bënë që unë të ndihesha mamaja më e lumtur, dhe mendoj se kjo strategji do t’ju ndihmojë edhe juve, gjithashtu.
2. Përcaktoni se çfarë doni
Ne jetojmë në një shoqëri që na injekton çdo ditë mendime dhe zëra të ndryshëm në kokën tonë. Çdokush ka një mendim se si duhet t’i rrisim fëmijët tanë, dhe ndihen të lirë t’i ndajnë me ne vazhdimisht. Sot nuk jetojmë më në kohën kur vetëm disa familjarë apo miq të ngushtë na jepnin këshilla. Tashmë ne jemi të bombarduar me një rrjedhë të pafund informacioni dhe mendimesh.
Problemi është se në ditët e sotme është bërë e vështirë të dallojmë faktin nga opinioni si dhe të ndajmë mendimin tonë nga mendimet e të tjerëve. Është shumë e lehtë të kritikojmë çdo vendim dhe të ndihemi sikur kemi shkatërruar çdo gjë kur kemi kaq shumë rrëmujë dhe kaq shumë zëra në kokën tonë.
Të dashura mama, një strategji e thjeshtë se si të evitoni gjithë këtë rrëmujë është që të kuptoni qartë se çfarë doni dhe çfarë ju nevojitet, çfarë besoni ju dhe pse. Pra, me pak fjalë të mësoni të dëgjoni sërish veten tuaj. Ju nuk mund të jetoni një të vërtetë pa e ditur se cila është ajo. Pasi t’a keni zbuluar do të ndiheni më të lumtura dhe më të gëzuara në jetë.
Filloni duke e fikur internetin për disa minuta, fikni celularin, dhe thjeshtë qëndroni në qetësi. Vetëm 3 deri në 5 minuta në heshtje mund t’ju bëjë të mendoni më qartësisht. Kushtojuni rëndësi ndjenjave që përjetoni. Cilat ndjenja ju japin energji dhe cilat ju bëjnë të ndiheni bosh, të zbrazura? Çfarë ju bën të ndiheni të stresuara dhe çfarë ju sjell paqe? Pasi të keni vendosur se çfarë dëshironi, çfarë ju nevojitet dhe besoni, atëherë mama të dashura, kjo është e vërteta dhe mbajeni fort. Mos lejoni që mendimet e të tjerëve t’ju lëkundin lehtësisht.
3. Lejoji vetes disa kënaqësi të vogla.
Flitet shumë për faktin se si mamatë duhet të gjejnë kohë dhe të kujdesen për veten e tyre, por shumica e këshillave për t’a arritur këtë janë të vështira për t’u praktikuar. Pavarësisht se mundohesha shumë, “unë nuk arrija të flija pasi fëmija im kishte fjetur”, nuk mund “të zgjohesha disa orë para fëmijëve të mi”, kështu që ne kalonim kohë me njëri-tjetrin sepse flinim bashkë dhe nëse unë zgjohesha, zgjoheshin edhe ata. Unë mësova diçka të rëndësishme rreth kujdesit për veten gjatë viteve të para të mëmësisë – kuptova se mund t’a vendos vetë çfarë do të thotë kujdesi për veten për mua.
Unë duhet të shqyrtoja edhe njëherë idetë që kisha krijuar në kokën time rreth kujdesit për veten, sepse të them të drejtën unë e privoja veten nga shplodhja dhe relaksi sepse kisha krijuar disa pritshmëri joreale, që kujdesi për veten i përkiste jetës time të mëparshme kur unë mund të udhëtoja vetëm me bashkëshortin tim ose kur mund të lexoja novela e shtrirë në një vaskë plot me shkumë.
Kështu që hoqa dorë nga idetë jo reale dhe u fokusova në kënaqësitë e vogla—gjëra të vogla, praktike që do të më ushqenin mendjen, trupin dhe shpirtin. Vendosni se çfarë do të thotë vërtetë kujdesi për veten për ju. Cilat janë ato gjëra të vogla që mund t’ju bëjnë të ndiheni të lumtura dhe të frymëzuara?
Ndonjëherë, pikërisht në mes të ditës kur streset dhe përgjegjësitë e punës bëhen aq të papërballueshme sa ju duket se asnjëherë nuk do të dilni nga ajo situatë, jepini vetes pak kohë.
Ndonjëherë, në mbrëmje kur ktheheni në shtëpi e cila është e gjitha rrëmujë me një grumbull me rroba për të larë, pa asnjë plan se çfarë do gatuash për darkë, ju ndiheni sikur e keni lënë pas dore familjen dhe mendoni se gjëja më e mirë që mund të bëni është të lini punën në mënyrë që të kujdeseni për të gjitha nevojat e familjes.
A e kuptoni? Në çfarëdo lloj momenti që të shfaqet qoftë në punë, në shtëpi, me fëmijët, ose qoftë edhe kur jeni vetëm, dëshpërimi mund të jetë shumë i rëndë. Të krijon ndjesinë sikur nuk ke më kontroll mbi asgjë. Dhe ashtu si momentet e zemërimit që vërejmë tek fëmijët tanë ndonjëherë, edhe kjo situatë mund të jetë e vështirë për t’u kaluar.
Më besoni —ne të gjitha e kemi kaluar këtë situatë dhe disa nga ne shumë më tepër se sa e pranojnë.
Kini parasysh tre gjëra që mund të na ndihmojnë të dalim nga kjo ndjenjë e pakëndshme e humbjes së kontrollit mbi veten dhe të na kthejnë sërish në realitet. Mbani mend që:
“Ju do t’a kaloni kete,
jo cdo gje ka humbur,
kjo eshte thjesht dicka e perkohshme“
Herës tjetër që do të ndiheni kështu, ju tashmë e dini se çfarë do të ndodhë, frymëmarrja ngadalësohet, koka fillon të rëndohet, ju nuk arrini të shikoni më larg se hunda juaj, dhe ju thjeshtë mund të shpërtheni në lot sapo dikush t’ju pyesë nëse jeni mirë, provoni ndonjë ose të gjitha nga këshillat e mësipërme për të stabilizuar frymëmarrjen dhe për të ardhur në vete sërish.
4. Mbyllni sytë për një çast dhe merrni frymë thellë.
Një nga simptomat e panikut është humbja e kontrollit—kur duhet të bësh më shumë gjëra se sa mund të përballosh, qoftë në profesionin tuaj, punë shtëpie ose emocione. Një nga mënyrat më të shpejta për t’i treguar vetes se ju keni më tepër kontroll se sa ndiheni në ato momente, është të kontrolloni frymëmarrjen tuaj:
Bëni 10 frymëmarrje të thella.
Numëroni çdo frymëmarrje dhe frymënxjerrje dhe ndërkohë përpiquni të mos mendoni për asgjë tjetër përveç frymëmarrjes dhe numërimit. Bëni 10 frymëmarrje, më pas 10 të tjera, deri sa të mundeni të hapni sytë pa ju zënë paniku sërish.
Kjo më ndihmon që të mos jem e lidhur emocionalisht më dramën e përditshme si dhe t’i krijoj vetes një lloj qetësie të cilën mund t’a shfaq dhe t’a transmetoj edhe tek fëmijët e mi të vegjël. Jo gjithmonë funksionon, por të paktën bëj një meditim të shkurtër në mes të kaosit dhe rrëmujës.
5. Lëvizni trupin.
Javën e kaluar kur po ndihesha vërtetë në panik, nga punët e shumta dhe përgjegjësitë që kisha mbi supe, në një moment, unë thjeshtë mbylla laptopin, u ngrita dhe u largova. Ndonjëherë gjëja më e mirë që mund të bëni është të ngriheni, të lëvizni dhe të largoheni nga situata ku ndodheni.
Edhe nëse nuk largoheni dot vërtetë, ju mund të rrotulloni shpatullat ose qafën, të bëni një tendosje të shpejtë, ose nëse jeni në zyrë ju mund të lëvizni nëpër shkallë ose të bëni një xhiro të shpejtë tek parkingu. Disa lëvizje për të rritur numrin e rrahjeve të zemrës dhe çdo gjë tjetër që mund të kthjellojë mendjen dhe të stabilizojë qarkullimin e gjakut.
6. Pini një gotë ujë.
Dehidratimi mund të jetë shkaku për shumë emocione që na dalin jshtë kontrollit. Ato ditë që nuk kam pirë mjaftueshëm ujë jam gati të shpërthej para çdokujt që më del përpara, dëshpërohem për çdo gjë që nuk shkon ashtu siç dua unë dhe menjëherë më zë paniku. Kështu që nëse mundeni, pini sa më shumë ujë. Pijeni në mënyrë të qëllimshme dhe të ndërgjegjshme. Për disa sekonda, të gjitha mendimet tuaja duhet të fokusohen tek gota e ujit dhe mënyrën se si po e pini. Më pas merrni frymë.
7. Shikoni përreth dhe emërtoni pesë gjëra për të cilat jeni mirënjohës.
Bëjeni shpejt, pa u menduar, thjesht shikoni rreth e rrotull ose mendoni se si ka shkuar dita juaj dhe shpejt listoni me mendjen tuaj 5 gjëra për të cilat jeni mirënjohës. Mund të jenë mundësitë që ju ka krijuar puna, siguracioni shëndetësor në rastet kur sëmureni, ose fakti që familjarët tuaj janë mirë me shëndet, mund të jenë edhe gjëra të vogla si buzëkuqi mahnitës që keni vendosur sot, apo thjeshtë fakti që keni mundësi të pini ujë të pastër. (siç e përmendëm në këshillat e mësipërme).
T’i japësh vetes një pushim të shkurtër për të menduar për të gjitha gjërat e mira që keni në jetë është një mënyrë e pagabueshme për t’u larguar nga dëshpërimi. Dhe përveç kësaj është vërtetuar se mirënjohja rrit lumturinë. Kështu që nëse dëshironi disa ndryshime drastike në jetën tuaj, ju mund t’i ktheni këto këshilla në një një praktikë më afatgjatë!
8. Eleminoni diçka nga lista e gjërave që duhet të bëni
Nëse të menduarit për çdo gjë që duhet të bëni në jetë, ju shkakton panik, atëherë përpiquni t’a sfidoni listën e detyrave. Me shumë mundësi aty ka shumë gjëra që DUHET të bëhen. Ne të gjithë kemi javë të tilla, të ngarkuara. Por çfarë është me të vërtetë e nevojshme dhe çfarë jo? A mund të hani cereal për darkë kështu që eleminoni gatimin për sot? A mundeni të bëni një telefonatë dhe takimin që keni në program, ta shtyni për javës tjetër, kur të jeni më e qetë? A mundeni t’i thoni klientit tuaj se nuk mund të realizoni atë që i keni premtuar për disa ditë?
Pra shpesh ne i themi vetes se DUHET t’i bëjmë disa gjëra, kur në të vërtetë afati nuk është i përcaktuar. Shumica e njerëzve kanë një program të ngjeshur, por mendoj se duke e ngadalësuar për një ditë mund të rezultojë më produktive në fund. Ndërsa kur gjërat bëhen me nxitim, shpeshherë nuk jemi të vëmendshëm sa duhet ndaj detajeve dhe i përfundojmë detyrat tona pa dhënë maksimumin.
9. Krijoni një listë me gjërat që duhet të bëni.
Meqënëse po flasim për lista, unë ju ftoj të bëni të kundërtën e asaj që bëmë më lart. Ju ftoj të krijoni një listë me… Gjithçka që keni bërë sot. Me siguri jeni zgjuar, keni larë dhëmbët, përgatitur mëngjesin, keni dërguar fëmijët në shkollë, mund të dëgjuar një program në radio, keni hequr nga lista disa gjëra që i keni përfunduar, keni kryer ndonjë porosi, mund të keni bërë një telefonatë, keni plotësuar disa dokumenta…. e gjëra të tjera të kësaj natyre të cilat ju i dini shumë mirë.
Pavarësisht kësaj ne asnjëherë nuk mendojmë se kemi bërë sa duhet gjatë ditës. Edhe nëse gjëja e vetme që keni bërë është të bëni dush, të ushqeni dhe të kujdeseni për fëmijët tuaj më besoni keni bërë një punë të mrekullueshme.
Por fakti se përveç kësaj, ne punojmë, lajmë rroba, dhe menaxhojmë biznesin në të njëjtën kohë, është dyfish mbresëlënëse. Kështu që hidhini një sy listës së gjatë me gjërat që KENI BËRË sot dhe merreni veten tuaj pak me të mirë. Mos qeshni, ndoshta, dikush po ju shikon.
10. Duhet të vendosni në programin tuaj pak kohë të lirë.
Kur ju keni shumë gjëra për të bërë, mund të jetë e vështirë t’I japësh vetes një pushim. Ne vazhdojmë të mendojmë se është thjeshtë një periudhë që do kalojë ose thjeshtë puna është tepër e ngarkuar për momentin dhe ne vazhdojmë t’i shtyjmë daljet, kohën për veten apo çdo argëtim tjetër derisa ritmi i gjërave të ngadalësohet pak. Po sikur të mos ngadalësohet? Po sikur ju prisni e prisni mundësinë për të marrë frymë, por që nuk vjen asnjëherë?
Ju duhet të bëni pak pushim. Në listëne detyrave ju duhet të shtoni edhe pak hapësirë për veten tuaj. Ti duhet të bësh diçka që të motivon dhe të bën të shpresosh. Bëni diçka të shpejtë, të vogël, të thjeshtë. Çdo gjë që mund të jetë e përshtatshme për ty në këtë moment, thjeshtë për t’i kujtuar vetes se sa mirë ndihesh kur bën një pushim dhe ke diçka që të frymëzon. Dhe ndoshta në këtë mënyrë ju do të ndiheni më të motivuara për të vendosur një pushim të dytë në listën tjetër.
Mos u ndjeni keq për faktin se ndiheni të dëshpëruara. Ju ndodh të gjithëve. Më ndodh edhe mua. Dhe pikërisht sepse e di se si ndihesh dhe besoj se edhe ju jeni dakord se nuk është një ndjenjë e këndshme, dua të sigurohem që ju keni strategjitë e duhura për të mos humbur kontrollin. Sepse ajo që thashë pak më lartë është është e vërtetë—kjo ndjenjë është thjeshtë e përkohshme.
Dhe ju e keni kuptuar këtë.