Është një skenë e njohur për të gjithë: “Je i ulur në divan teksa sheh fëmijën tënd të fiksuar në episodin e 17-të rradhazi të Peppa Pig, Paw Patrol apo PJ Masks. Ndihesh në faj që nuk bën më tepër me të por çdo tentativë për ta larguar nga hipnoza e filmave vizatimorë has në rezistencë të ashpër.” Për mua – të dalurit jashtë shtëpisë është hapi i parë për t’i larguar nga ekrani fëmijët e mi. Mjafton të dalin jashtë, aty ku mund të realizojnë aktivitete në natyrë. Kjo është një zgjidhje e përsosur që gjithashtu më ndihmon të lidhem më tepër me fëmijët e mi.
Përse fëmijët duhet të shpenzojnë më tepër kohë në natyrë?
Në vitet 80-të, një biolog në Universitetin e Harvard-it, propozoi konceptin e ‘biofili-së’, një teori në saj të së cilës shpjegohet se njerëzit kanë instikte të lindura që i bëjnë ata të ndihen të lidhur me natyrën.
Nëse kjo teori do të qe propozuar në nisje të shekullit XXI, shumica e prindërve me shumë gjasa do të qeshnin por, këtë vit situata është pak më ndryshe. Pandemia e Covid-19 ndihmoi shumë nga ne të lidhen përsëri me naytrën. Pafund njerëz kanë patur mundësinë të dalin në natyrë më tepër se asnjëherë më parë. Mjafton të gjeni një mënyrë që t’i shkëpusni fëmijët nga televizori dhe video-lojërat dhe pastaj do të shihni se si ata do të dashurohen me botën jashtë.
Përse aktivitetet në natyrë janë të rëndësishme për fëmijët?
Ekzistojnë mjaftueshëm kërkime që kane në fokus impaktin e natyrës si tek të rriturit ashtu edhe tek fëmijët dhe pak a shumë gjithsecila prej tyre shpie në të njejtin konkluzion – Fëmijët që shpenzojnë më tepër kohë në natyrë janë më inteligjent, më pak të shqetësuar, më pak të stresuar, janë më të lumtur, më kreativë, më intuitivë dhe kanë edhe më tepër energji se fëmijët që pjesën më të madhe të kohës të tyre e kalojnë brenda.
Ja disa përfitime që sjell aktiviteti në natyrë tek fëmijët tuaj:
Rrit vetëbesimin – Lojërat në natyrë kanë normalisht më pak struktura kufizuese se lojërat në ambiente të mbyllura. Kjo i lejon ata të eksplorojnë dhe të fitojnë aftësi për të shtyrë pastaj kufijtë e tyre në mënyra dhe në ambiente të ndryshme.
Aktiviteti fizik – Vetë të qenurit jashtë i vë ata në lëvizje. Qoftë një vrap i çmendur përreth parkut, një shkelmim i fuqishëm i topit apo ngjitja në një shteg mes pemëve, natyra gjithqysh do bëjë tu vlojë gjaku. Përpos përfitimeve fizike e shëndetësore të gjithë e dimë se këto lloj aktivitetesh gjithashtu do t’u reduktojnë stresin e tejlodhjen nga përditshmëria.
Forcon kreativitetin – Mungesa e strukturave të gatshme i nxit fëmijët të mendojnë për mënyra të reja ndërveprimi me ambientin që i rrethon dhe mos u habisni nëse brenda pak kohe ata do të kenë krijuar vetë aktivitetet e tyre.
Stimulimi – Shqisat stimulohen në natyrë shumë më mirë se sa në lojërat në ambiente të brendshme. Numri i aromave, pamjeve, ndjesive që të ofron ambienti i jashtëm është i pafundëm. Në studime gjithashtu është zbuluar se nëse fëmijët qendrojnë për shumë kohë në ambiente të mbyllura, shqisat e tyre reduktohen.
Lidhen me mamin dhe babin – Ambienti i jashtëm gjithashtu i nxit fëmijët që të ndërveprojnë me prindërit më tepër se ç’do të mund të bënin në shtëpi ndërsa shohin TV apo luajnë me lodra. Krejt papritur ata do të duan që ju t’i ndiqni; të shqelmoni gjethet së bashku; të luani kuka-fshehti nëpër shkurre; të kacavireni në pemë me ta; të vraponi me furi tatëpjetë kodrës apo të vëzhgoni insektet dhe botën e egër së bashku.
Ja disa aktivitete në natyrë që do t’ju ndihmonin të jeni më i lidhur me fëmijën tuaj!
Pasi kemi shqyrtuar se përse është e rëndësishme t’i shpini fëmijët në natyrë, më poshtë gjeni një listë idesh me aktivitete që do të ishin të përshtatshme për çdo familje:
Gjuetitë në natyrë – Bukuria e të jetuarit në një vend sezonal si Shqipëria është se ka gjithnjë diçka për të gjetur! Bëni një listë të gjërave që fëmija mund të gjejë në natyrë dhe lërini të shkojnë. Për fëmijët më të vegjël një listë për çdo dalje është më e përshtatshme ndërsa për fëmijë më të rritur ju mund të përpiloni diçka sezonale; mund të jetë një listë për pushimet e verës apo për vjeshtën, kështu ata mund të kërkojnë diçka nga lista në çdo dalje tuajën. Nëse pastaj nuk doni që kur të vijnë në shtëpi të kthehen para televizorit pa marrë frymë akoma, sigurohuni që të merrni në shtëpi edhe materiale që do t’ju ndihmojnë të realizoni punë dore me elemente të marra nga natyra.
Nisni një koleksion – Është kurdoherë një ide e mire që fëmijët të realizojnë koleksionin e tyre. Gjithnjë mund të ketë arsye për të mbledhur objekte të caktuara megjithatë pas njëfarë kohe; të mbledhurit e shkopave apo gjetheve bëhet e mërzitshme për këdo. Ndryshe qendron puna nëse nisni një koleksion. Kjo do t’i mbante fëmijët të angazhuar për një periudhe të caktuar. Në verë mund të mblidhen guacka ndërsa në vjeshtë apo dimër koleksionimi i boçeve të pishës për shembull do të ishte ideal.
Mbledhja e frutave – Tepër e përshtatshme për muajt e verës. Mbledhja e frutave apo perimeve është jo vetëm argëtuese por edhe shpërblyese për fëmijët. Ky aktivitet gjithashtu i ndihmon ata të kuptojnë se nga vijnë ushqimet. Në varësi të asaj që do të mblidhni, ju pastaj mund t’i përfshini në të gatuarit e diçkaje sëbashku çfarë nga ana tjetër, nxit të ushqyerin e shëndetshëm. Një aktivitet plot përfitime!
Një shëtitje me biçikletë – Shëtitjet në biçikletë janë një mënyrë shumë e mirë për të eksploruar natyrën, pavarësisht moshës të fëmijëve tuaj. Nëse janë të rritur mjaftueshëm sa të ngasin biçikletën e tyre, perfekte! Ndoshta ju mund edhe t’i lini ata të prijnë drejtimin. Edhe nëse janë më të vegjël, nuk ka pse të shqetësoheni pasi ulëset e fëmijëve për biçikleta për shembull e bëjnë super të rehatshme për prindërit shëtitjen me të vegjlit e tyre, duke ju dhënë kështu mundësi të lidheni edhe më tepër.
Mos e lini shiun t’ju dekurajojë – Zakonisht shiu atashohet me fjalitë mohuese. ‘Nuk mund të shkojmë në park se po bie shi’, ‘Nuk mund të bëjmë shëtitje se është moti i vrenjtur dhe mund të na zërë shiu’ ndërsa nuk ka përse të jetë gjithnjë ashtu. Për sa kohë të gjithë janë të veshur mirë dhe kanë mushamatë e shiut, moti nuk do të mund t’ju ndalojë të argëtoheni në natyrë. Normalisht nuk do të mund të bëni aktivitete të caktuara por nga ana tjetër sjell me vete edhe mundësi të reja. Për shembull, ju mund të bëni anije të vogla me punë dore dhe ti nisni të lundrojnë përgjatë lumit dhe nga ana tjetër, si mund të pllaqurisni së bashku plot gëzim në pëllgjet e baltës nëse nuk ka pakëz shi?!
Dëgjojmë kaq shumë të flitet për ‘kthimin në normalitet’ kur pandemia të mbarojë megjithatë, të kaluarit e kohës në natyrë me familjen është një nga aspektet e jetës në karantinë që bëjmë mirë ta ruajmë përgjithnjë!