Si një mësuese Montessori dhe si mamaja e dy fëmijëve (David 9 dhe Victoria 5), e di se sa e vështirë është t’u japësh vëmendjen e duhur fëmijëve, të angazhohesh dhe të gjesh kohë për ta dhe njëkohësisht të përballosh stresin e punës, të gjitha nevojat e shtëpisë dhe të organizosh hapësirat e nevojshme për fëmijët.
Por, duke aplikuar parimet Montessori në shtëpi, e ndiej që jeta ime është bërë më e thjeshtë. Tashmë, kam më pak gjëra në shtëpi, dhe fokusohem në aktivitetet që fëmijët pëlqejnë më së shumti. Dhe në të njëjtën kohë, falë këtyre parimeve ne kemi mësuar të jetojmë në një mënyrë më të qetë me njëri-tjetrin.
Aventura ime personale me Montessori-n filloi kur shkuam të kërkonim një kopësht për fëmijët tanë dhe unë menjëherë rashë në dashuri me kopshtin qëndror Montessori. Mësuesit u flisnin me respekt fëmijëve dhe ishin të interesuar t’i kuptonin ata. Të gjitha materialet ishin të paraqitura në mënyrë të tillë që fëmijët t’i preknin dhe t’i shikonin. Dukej si një shtëpi e vogël, me bimë dhe lule të këndshme për të cilat fëmijët mund të kujdeseshin, me kënde komode për të lexuar dhe hapësira ku fëmijët mund të konsumonin diçka nëse ishin të uritur.
Unë vazhdova të trajnohem akoma më tepër si një mësuese Montessori si dhe fillova të punoja me prindërit dhe fëmijët për të sjellë këto parime në jetën e tyre.
SI MUND TË NA MËSOJË MONTESSORI T’I JETOJMË MË MIRË JETËT TONA? PSE DUHET T’I NDJEKIM KETO PARIME?
- T’i bëjmë më të thjeshta shtëpitë tona
Në ditët e sotme ka kaq shumë lodra për të zgjedhur dhe duam të sigurohemi që ata të kenë më të mirën e mundshme. Por, kjo mund të jetë tepër e lodhshme ndonjëherë.
Kështu që gjëja më e mirë që mund të bëjmë është t’i thjeshtësojmë shtëpitë tona. T’i bëjmë gjërat më të thjeshta, do të thotë të kesh më pak lodra për të sistemuar, më pak lodra për të marrë me vete në udhëtim, (kryesisht ato në të cilat fëmijët përqëndrohen më së tepërmi) dhe rrjedhimisht do të jetë më e thjeshtë për fëmijët të zgjedhin.
Keni qënë ndonjëherë në supermarket dhe jeni hutuar nga alternativat e shumta? Për shembull nëse shikon të gjitha llojet e muesli. Me fruta, me fruta dhe arra, të pjekura, format e tyre si dhe opsionet pa yndyrë. Ndërkohë që lexoni të gjithë informacionin rreth tyre kanë kaluar 10 minuta dhe ju nuk keni vendosur akoma.
E njëjta gjë ndodh edhe me fëmijët. Nëse ju jepni atyre shumë mundësi zgjedhjeje, shumë lodra ose rroba, atëherë për t’a do të jetë shumë e vështirë të fokusohen në një gjë të vetme për disa minuta.
- Ndihmojeni fëmijën tuaj të përfshihet në jetën e përditshme
Fëmijët e vegjël duan të marrin pjesë dhe të japin kontribut në familje. Ata kanë shumë dëshirë të qëndrojnë afër prindërve dhe të ndihmojnë. Kur ju e përfshini fëmijën tuaj në aktivitetet e përditshme, kjo gjë bëhet pjesë e rutinës tuaj, pjesë e të qënit sëbashku. Ju nuk keni më nevojë t’u jepni atyre një iPAD apo t’u ndizni DVD-në për t’i mbajtur ata të zënë, ndërkohë që gatuani ose bëni punë të tjera në shtëpi. Fëmijët kanë dëshirë të ndihmojnë dhe të ndihen të përfshirë.
Dalëngadalë një foshnjë rritet, bëhet 6-vjeçar, më vonë bëhet adoleshent dhe kjo kulturë e fituar që në vegjëli do t’a shoqërojë për gjatë gjithë jetës. Do të doja të ndaja me ju shembullin e fëmijëve të mi – një nga gjërat e vogla që ata bëjnë pa u menduar dy herë është të vendosin rrobat e palara në kosh. Kur ata ishin të vegjël ne e bënim këtë gjë sëbashku, “T’i do të marrësh bizhamet, ndërsa unë do të marr peshqirin”. Kështu i ndanim detyrat tona. Dhe tani, falë Zotit ata vazhdojnë t’i bëjnë sërish këto gjëra të vogla dhe janë shumë të dobishëm në shtëpi.
Sëbashku do të shikojmë se si mund t’i organizojmë hapësirat tona, në mënyra që fëmija të ndihet i përfshirë në këto detyra të përditshme.
- Ndihmojini fëmijët të jenë të pavarur
T’u japim fëmijëve aftësi për të qënë të pavarur, është një pasuri e madhe. Veçanërisht për fëmijët me vullnet të fortë të cilët nuk duan t’ju thonë të tjerët se çfarë duhet të bëjnë. Nëse ata kanë mundësinë dhe aftësinë t’i bëjnë vetë disa gjëra, vetëvlerësimi i tyre rritet, kështu që ju keni më pak beteja për të përballuar.
Të përdorim metodën Montessori si një stil jete si dhe të organizojmë hapësirat tona në mënyrë që fëmijët të jenë më të pavarur do të ishte shumë e vlefshmë për edukimin e fëmijëve tanë.
- Krijoni ambjente të qeta
Më pak rrëmujë. Më pak zgjedhje. Më shumë dritë. Më tepër hapësirë. Këto gjëra mund të ndikojnë pozitivisht në mirëqënien e familjes tuaj. Ambjenti do të jetë më i qetë dhe shpresojmë që edhe fëmijët tuaj të ndihen po ashtu.
Hidhuni një sy hapësirave të mëposhtne të krijuara për fëmijët. Unë e dua shumë dritën dhe dua që çdo gjë të ndodhet në vendin e duhur dhe aktivitetet të duken sa më tërheqëse për ta. Dhe mbi të gjitha dua që ambjenti të jetë komod dhe i qetë.
- Mësojini fëmijët të jenë të përgjegjshëm për gjërat e tyre
Kur ne organizojmë hapësirat e shtëpisë tonë duke menduar për fëmijët tanë, ata do të bëhen më të përgjegjshëm për gjërat e tyre. Për shembull nëse këpucët e tyre do të vendosen gjithmonë në një shportë dhe jo para derës kryesore, atëherë ata do të shkojnë t’i marrin kur duhet të dalin nga shtëpia. Ata do të dinë se ku duhet t’i vendosin enët e palara dhe kështu pak nga pak do të mësojnë të jenë të përgjegjshëm, të fitojnë aftësi dhe vetëbesim.
- Shijojeni shtëpinë tuaj
Nëse ne krijojmë ambjente, të cilat janë të përshtatshme për fëmijët dhe në të cilat ata mund të rrinë lirshëm, atëherë ju do të vini re se fëmijët do të ndihen të qetë dhe do t’a shijojnë shtëpinë e tyre. Shtëpitë që ngjajnë si muze, me të vërtëtë mund të jenë të bukura, por fëmijët nuk kanë dëshirë të dëgjojnë vazhdimisht “Mos e prek këtë”, “Bëj kujdes me atë”, “Jo këtu” e shumë kufizime të tjera që e bëjnë fëmijën të mos ndihet rehat në shtëpinë e tij.
- Vlerësojeni të bukurën
Nëse e njihni sadopak sistemin Montessori me siguri keni dëgjuar për “mendjen përthithëse” të fëmijëve. Kjo është një mënyrë për të thënë se fëmijët janë si sfungjerët, që e përthithin informacionin shumë shpejt. Nëse shtëpitë e tyre janë të këndshme, ata do t’a perceptojnë të bukurën e ambjentit ku ndodhen dhe do t’a vlerësojnë atë. Madje madje ata do të mundohen të gjenjnë diçka të bukur edhe në objektet që shikojnë gjatë një shëtitjeje. Do të mësojnë të vlerësojnë dhe të shijojnë veprat e artit (ato që janë në lartësinë e tyre) ose thjeshtë të mbledhin disa lule për t’i vendosur në tavolinën e ngrënies.
Së shpejti do të rikthehem me këshilla të tjera frymëzuese Montessori. Deri atëherë…
Ju uroj gjithë të mirat,
Joanna