“Sigurisht që një ditë, fëmijët e mi do të kenë një kompjuter. Por deri sa kjo të ndodhë ata kanë librat.” BILL GATES
Bazuar në eksperiencën time, unë mund t’ju them se marrëdhëniet ndërmjet prindërve dhe fëmijëve janë çelësi për një zhvillim të plotë të mendjes së fëmijës dhe potencialit të tyre intelektual. Për mendjen njerëzore, nuk ka një stimul më të fortë se sa vetë një njeri tjetër.
Përveç kësaj, shumë prindër mund të joshen nga ideja se aplikacionet stimuluese të tabletëve dhe smartfonëve mund të jenë stmuli i duhur për t’i ndihmuar fëmijët të zhvillojnë inteligjencën. Ndoshta, ata mendojnë se teknologjia mund të zhvillojë inteligjencën dhe trurin, më tepër se sa një bisedë me fëmijën e tyre apo një shëtitje sëbashku në natyrë. Këta prindër me shumë mundësi nuk e dinë se truri është shumë më i komplikuar, më elastik dhe më efektiv sesa çdo kompjuter apo teknologjia më e lartë e krijuar deri në ditët e sotme.
Nëse kompjuterat do të kishin një ndikim pozitiv në inteligjencën tonë, duke filluar që nga viti 2000 (kur përdorimi i internetit filloi të bëhej diçka e zakonshme) dhe akoma më tepër nga viti 2010 (kur smartfonët dhe tabletët filluan të bëhen më të përhapur), atëherë ne duhet të kishim vënë re një rritje vjetore të inteligjencës së njerëzve. Kjo do të ishte diçka fantastike, por jam shumë e sigurtë se ashtu si unë, edhe ju nuk e keni vënë re një efekt të tillë.
Nëse jeni një përdorues i rregullt i teknologjisë, ka shumë mundësi, që ju keni më pak durim, kur duhet të prisni për diçka, mërziteni shpejt dhe e keni të pamundur të mos kontrolloni celularin tuaj vazhdimisht.
Siç mund t’a shikoni, teknologjia nuk ka ndikim pozitiv në trurin tuaj, por me shumë mundësi, ju bën më pak të durueshëm. Jam e sigurt se ju ndjeni edhe dhimbje qafe në mënyrë të vazhdueshme dhe aftësitë e të parit janë reduktuar ndjeshëm. Nëse dëshironi që këto “të mira” t’i ndani edhe me fëmijët tuaj dhe me zhvillimin e tyre mendor, ajo çfarë duhet të bëni është t’i shkarkoni këto aplikacione të cilat tërheqin vëmendjen e fëmijëve ose thjeshtë t’u japësh në dorë një telefon.
Udhëzimet e reja të Akademisë Amerikane të Pediatrisë (AAP), të botuara në Tetor 2016, lejojnë që edhe fëmijët nën moshën 2 vjeç të kalojnë pak kohë para ekranit, por gjithmonë duhet të jenë të shoqëruar nga prindërit. Me pak fjalë:
- Evitoni qëndrimin para ekranit si dhe video-chatting për fëmijët nën moshën 18 muajsh.
- Nëse vendosni t’i prezantoni fëmijët 18-24 muajsh me median, ju sugjerojmë të gjeni programe me përmbajtje cilësore dhe t”i shikoni e të luani sëbashku.
- Për fëmijët nga mosha 2 deri në 5 vjeç, koha e qëndrimit para ekranit nuk duhet të jetë më më shumë se 1 orë në ditë.
- Krijoni një program familjar me rregulla të qëndrueshme dhe zbatojini ato edhe për fëmijët më të mëdhenj.
A e dini se as Bill Gates nuk i ka lejuar fëmijët e tyre të përdorin kompjuterin, tabletët apo smartfonin?
Fëmijët po kalojnë shumë kohë para ekranit – dhe në një moshë më të re se kurrë më parë. Por, në të vërtetë nuk ka një “numër magjik” për të thënë se kur është mosha e duhur për t’i lejuar fëmijët të përdorin teknologjinë. Ajo çfarë është e rëndësishme është cilësia e medias për fëmijë, si përputhet me mënyrën e jetesës së fëmijës dhe si e përdor fëmija atë.
Në familjen time, unë jam shumë strikte kur bëhet fjalë për përdorimin e smartfonëve nga fëmijët. Duke qënë se unë nuk mund t’i kontrolloj gjithmonë se çfarë shikojnë, apo aplikacionet që ata shkarkojnë, unë nuk i lejoj ata t’i përdorin këto pajisje. Me vajzën time, e cila është 5 vjeç, jam shumë strikte përsa i përket kohës që duhet të kalojë para televizorit, vetëm 30 minuta para darkës dhe 1 orë në fundjavë. (Sigurisht bëjnë përjashtim rastet kur është një fundjavë me shi.) Fakti që ajo nuk mund të përdorë tabletët apo smartfonët, ka bërë që unë të shikoj shumë ndryshime në sjelljen e saj. Ishte një periudhë në familjen tonë, që ne i lejuam fëmijët të përdornin celularin dhe të shikonin video në you tube. (kryesisht edhe prej presionit të shoqërisë, që çdo fëmijë duhet të kishte një smartfone në duar, atëherë edhe fëmijët tanë donin një të tillë). Por sa më shumë kohë që qëndronte para ekranit ajo kërkonte edhe më tepër, dhe bëhej gjithmonë e më agresive. Kur ne i thamë që duhet t’a hiqte celularin nga dora, ajo filloi të qante e të bërtiste. Në atë moment unë e kuptova se sa e dëmshme ishte qëndrimi para ekranit për të, kështu që vendosa të mos e përdorte më. Pa ca kohësh ajo u mësua me këtë rregull të ri, dhe tashmë as që e kërkon telefonin.
Djali im i cili është 8 vjeç ka një kompjuter dhe një tablet për detyrat e shkollës, por sigurisht ndonjëherë ai i përdor edhe për qëllime të tjera. Ai luan lojëra dhe shikon komedi online. Pasi ne “luftuam” për një vit, për t’i mbushur mendjen se sa e dëmshme ishte për trurin e tij, ai gjithmonë më kundërshtonte duke më thënë se çdo fëmijë në klasën e tij kishte një tablet, kështu që unë vendosa të provoj një strategji të re. Gjatë javës ai është shumë i zënë me stërvitjen e futbollit, me biçikletën dhe me aktivitete të ndryshme të shkollës. Me pak fjalë, kjo kohë jo produktive që kalonte para ekranit ishte kryesisht në fundjavë. Ne folëm rreth kësaj çështjeje dhe i dhashë atij kohë të mendohej. Në fund ai vendosi që do t’a përdorte tabletin ose kompjuterin 1 ore e gjysëm në ditë vetëm gjatë fundjavës. David e respekton këtë rregull dhe unë shikoj që ai e shfrytëzon këtë kohë para kompjuterit në mënyrë më konstruktive dhe më të dobishme.
Ideja e qëndrimit para ekranit si një aktivitet një dimensional, tashmë po ndryshon. Madje edhe Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP) e cila kishte rregulla shumë strikte për kohën që fëmijët duhet të kalojnë para ekranit, tashmë e ka pranuar se koha që duhet kaluar para ekranit nuk është e njëjtë për të gjithë. Kompjuterat, tabletët dhe smartfonët janë pajisje multifunksionale dhe mund të përdoren për qëllime të ndryshme.
Sigurisht që ka shumë dallime ndërmjet këtyre aktiviteteve. Por edhe pse shumica prej tyre mund të jenë të vërtetë të vlefshme, është e rëndësishme që për të mirën e zhvillimit të përgjithshëm të fëmijës, t’i angazhojmë ata edhe në aktivitete të tjera përveç teknologjisë. Këto këshilla mund t’ju ndihmojnë:
- Shikoni me vëmendje se si sillen fëmijët tuaj gjatë dhe pasi kanë parë televizor, pasi kanë luajtur lojëra kompjuterike apo pasi kanë qëndruar për pak kohë në internet. Nëse ata po përdorin media me përmbajtje cilësore të përshtatshme për moshën e tyre; sjellja e tyre do të jetë pozitive dhe në qoftë se aktivititet para ekranit janë të balancuara me aktivitete të tjera të shëndetshme jashtë ekranit atëherë ju nuk keni pse të shqetësoheni.
- Nëse jeni të shqetësuar për përdorimin masiv të medias, ju propozojmë të krijoni një program të përshtatshëm për të gjithë familjen tuaj. Kjo mund të përfshijë oraret që duhet të kalojnë përpara ekranit, duke përcaktuar llojet e pajisjeve që mund të përdorin, dhe udhëzime për llojet aktiviteteve dhe programeve që mund të shikojnë. Sigurohuni që të bashkëpunoni edhe me fëmijët për këtë, në mënyrë që ky plan t’u mësojë atyre vetë menaxhimin dhe se si funksionon media. Në këtë mënyrë ju mund të zbuloni se çfarë pëlqejnë të shikojnë, gjithashtu ju mund t’u sugjeroni atyre aplikacione dhe pragrame të reja televizive ose mund të planifikoni të shikoni një film të gjithë së bashku. Programoni me rregulla të qëndrueshme dhe mundohuni t’i zbatoni edhe për fëmijët më të rritur.
E vërteta është se shumica e familjeve do të kalojnë periudha të caktuara të përdorimit të teknologjisë. Në disa momente fëmijët mund të kalojnë më shumë kohë para ekranit, në momente të tjera më pak, por për sa kohë që arrijmë të krijojmë një balancë, ata do të jenë mirë. Për mendimin tim, gjëja më e rëndësishme është të zgjidhni një program të përshtatshëm për moshën e tyre. Siç e kam thënë edhe në shkrime të tjera, çelësi i suksesit është të jeni shembull për fëmijët tuaj, qoftë edhe përsa i përket përdorimit të teknologjisë. Mbani mend se sa e rëndësishme është për zhvillimin e përgjithshëm të shëndetit të fëmijëve të balanconi jetën e tyre me eksperienca të reja jashtë ekranit.