Skip to content Skip to footer

Sot është data 1 MAJ dhe ne festojmë Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.  Të gjitha mamatë që punojnë në zyra, banka, posta, dyqane, fabrika, në shtëpi, në shkollë dhe në shumë vende të tjera, janë padyshim të gjitha Nëna dhe Gra të forta e të pavarura.

Unë kam dëshirë të ndaj me ju eksperiencën time si nënë, çfarë është mëmësia për mua dhe si të gjejmë lumturi në të qënurit nënë, veçanërisht nëse je një grua që ka zgjedhur ose duhet të jetë një prind me kohë të plotë.

Në të kaluarën time unë për shumë kohë ndihesha fajtore për faktin se mundohesha të isha e suksesshme në punën time dhe njëkohësisht të rrisja fëmijët. Jam ndjerë shumë keq kur kam humbur një moment të rëndësishëm në jetën e djalit tim sepse më duhet të punoja. Shumë herë jam ndjerë fajtore, kur duhet të udhëtoja për shkak të punës dhe vajza qante gjatë mungesës time. Më vriste ndërgjegjia që nuk u jepja dot kohën dhe vëmendjen e duhur fëmijëve të mi sepse puna ime si mësuese kërkonte kohën e saj gjithashtu.

Dhe për më tepër jo pak herë jam ndjerë fajtore për faktin që kisha zgjedhur të punoja. E gjykoja veten time si një mama jo të denjë, sepse më dukej sikur po kërkoja diçka më tepër se mëmësia për t’u ndjerë e plotësuar dhe e motivuar.

Por me kalimin e kohës, vite më vonë në fakt, unë e kuptova se ndjenja e fajit nuk po më shërbente për asgjë. Jo vetëm që nuk po i sillte asnjë të mirë as fëmijëve as punës time, por më bllokonte dhe më shpërqëndronte akoma më tepër. Kjo ndjesi e vazhdueshme ma bënte shumë të vështirë përqëndrimin në punë dhe në familje, sepse isha gjithmonë e shqetësuar për çdo gjë tjetër të mundshme përveç asaj që po bëja në atë moment.

Kështu që e lejova veten time t’a largoja ndjenjën e fajit dhe të fokusohesha në avantazhet dhe të mirat që më kishte sjellë puna. Dhe rezultoi se puna, në të vërtetë  më kishte ndihmuar shumë. Thjeshtë në atë periudhë nuk e kisha kuptuar ende.

Tani unë e di se gjithmonë do të kem mundësi të zgjedh: Unë mund të ndihem fajtore se jam një grua e arrirë e cila dëshiron të ndryshojë diçka me punën e saj ose mund të fokusohem në të gjitha gjërat e mira që ndodhin, sepse unë kam energjinë dhe guximin e duhur për të qënë edhe një sipërmarrëse edhe një mama e angazhuar dhe e pranishme në jetën e fëmijëve.

Duhet t’a pranojmë: Puna është diçka shumë e mirë për shpirtin.

Kur fillimisht e pranova se dëshiroja të isha më tepër se një mama, u ndjeva shumë e turpëruar që mëmësia nuk ishte çdo gjë për mua, veçanërisht sepse unë isha e ndërgjegjshme se sa me fat duhet të ndihesha që isha mamaja e dy fëmijëve të lumtur dhe të shëndetshëm. Por sidoqoftë, unë gjithashtu dija se dëshiroja të kisha më tepër se sa thjesht titullin nënë, në jetën time.

Që atëherë unë kam arritur të kuptoj se nuk është turp të hedhësh pas krahëve ndjenjën e fajit, në mënyrë që unë të arrij të ndihem e plotësuar me punën time dhe në këtë formë të përfitojnë edhe të tjerët gjithashtu.

Sepse puna më nxjerr në pah anën time më të mirë dhe më sjell shumë lumturi e cila transmetohet edhe në pjesë të tjera të jetës.

Ndjenja e fajit tek një nënë është diçka e vërtetë dhe e vazhdueshme – në fakt, akoma shfaqet herë pas here në jetën time. Por me kalimin e viteve, kam mësuar se kur përqëndrohesh në avantazhet që puna sjell në jetën tënde, atëherë gjëra të mira do të vijnë me kalimin e kohës.

Jini pozitiv!

Gëzuar 1 Majin, të gjitha nënave!

Leave a comment

0.0/5

Le të qëndrojmë në kontakt!

Regjistrohu për të marrë lajme dhe informacione mbi kurset dhe ofertat e ardhshme.

Mom’s Joyful © 2024. Të gjithë të drejtat e rezervuara. Zhvilluar nga Torkhan Digital Agency

Subscribe for my updates!