“Gjuha…është diçka që ndodh në mënyrë të pavetëdijshme në mendjen e njeriut. Ajo fillon dhe përhapet në skutat më të errëta të ndërgjegjes dhe më pas shfaqet si një përvetësim i pavullnetshëm…” ~ Dr. Montessori (Mendja përthithëse)
Ne jetojmë në një botë multikulturore, kështu që ne mund të flasim shumë gjuhë. Të afërmit tanë jetojnë në vende të tjera me kultura ndryshe nga e jona, prandaj shumë prindër të cilët jetojnë jashtë pyesin veten se çfarë gjuhe duhet të flasin me fëmijën e tyre. “A bëhet konfuz ai nëse i flas në gjuhën time amtare, ndërsa jashtë shtëpisë duhet t’i flas në gjuhë tjetër?” Kjo është pyetja që i mundon shumicën prej tyre. Edhe unë kam patur shumë dilema për këtë çështje, veçanërisht kur kisha fëmijën e parë. Pasi siç e dini, familja ime është shumëgjuhëshe. Në shtëpi ne flasim italisht, polonisht, shqip dhe anglisht.
Maria Montessori ka thënë se: “Në tre vitet e para të jetës një fëmijë është gjeni për të mësuar gjuhët.” Ajo ishte një pionere në këtë fushë dhe deklaroi qartë se vetëm duke shfrytëzuar zhvillimin natyror të fëmijëve – periudhat e tyre të ndjeshme – do të ishte e mundur t’i edukojmë ata deri në nivelin e potencialit të tyre njerëzor. Dhe ky potencial është i madh përsa i përket mësimit të gjuhës.
Fëmijët e mi (5 dhe 8) flasin katër gjuhë në mënyrë korrekte, sigurisht duke kaluar nga njëra gjuhë në tjetrën sipas nevojave të tyre. Kjo ka qënë një zgjedhje e natyrshme e familjes time shumëkulturore për të respektuar gjuhët tona amtare dhe gjuhën e vendit ku jetojmë dhe punojmë.
Dr. Montessori besonte se një zonë e trurit të njeriut është e predispozuar në mënyrë të veçantë për mësimin e gjuhëve gjatë një periudhe të ndjeshme në jetën e tij të hershme. Ajo vuri re se foshnjat rreth moshës 4 muajshe tregojnë një interes të veçantë gjatë kohës kur flasin të rriturit, vëzhgojnë me kujdes dhe përpiqen të imitojnë lëvizjen e buzëve gjatë kohës që ata flasin.
Ndjeshmëria e foshnjave në zonën e gojës mendohet se i ndihmon ata për të krijuar tingujt që u nevojiten për të komunikuar. Është vënë re se kjo ndjeshmëri është më e fortë kur ata fillojnë të belbëzojnë siç duhet pas 8 muajsh.
Dr. Montessori mendonte se vitet parashkollore ishin një periudhë mjaft e përshtatshme për të mësuar gramatikën dhe fjalorin gjithashtu:
“Eksperienca ka treguar se fëmijët e vegjël tregojnë një interes të madh për të mësuar gramatikën dhe se kjo është koha e duhur për t’i vënë ata në kontakt me të. Në periudhën e parë (0 deri 3 vjeç) përvetësimi i gramatikës bëhej në mënyrë të pavetëdijshme, spontane, ndërsa tani kjo gjë mund të arrihet në mënyrë plotësisht të ndërgjegjshme. Ne gjithashtu mund të vërejmë edhe diçka tjetër shumë të rëndësishme: që fëmijët e kësaj moshe mësojnë shumë fjalë të reja. Fëmija në mënyrë të natyrshme, pa e kuptuar ka mësuar një numër të madh fjalësh.”
Si t’a arrijmë këtë?
Ne kemi mundësi pafund për t’i ekspozuar fëmijët tanë ndaj një gjuhe të pasur dhe të bukur të cilën mund t’a përvetësojnë me lehtësi. Ashtu siç mund të mësojnë emrat e frutave të ndryshëm (banane, mollë, rrush…etj), në të njëjtën mënyrë ata mund të mësojnë të emërtojnë mjete të ndryshme transporti duke filluar që nga eskavatori e deri tek vinçi i lëvizshëm ose lloje të ndryshme zogjsh si flamingo ose toucan. Le të argëtohemi duke mësuar gjëra të reja dhe ne do të kufizoheni vetëm nga njohuritë tona.
Për të rritur dëshirën e tyre për të mësuar më tepër fjalë, ne mund të vendosim shporta të vogla me objekte të cilët fëmijët tanë mund t’i eksplorojnë. Objektet e vendosura në shportë duhet të jenë të klasifikuara sipas temave të caktuara. Për shembull, artikuj të ndryshëm të kuzhinës, ose pajisje të tjera të cilat u duken familjare.
Librat janë gjithmonë alternativa më e mirë. Zgjidhni libra të këndshëm për fëmijët tuaj dhe lexojini ata me zë të lartë. Për fëmijët nën moshën 6 vjeç, të kuptuarit lidhet me botën që ata shikojnë rreth tyre. Prandaj ata i duan librat të cilët pasqyrojnë gjëra të cilat ata i njohin nga jeta e përditshme.
Bisedat me fëmijët tanë janë një metodë shumë efikase për zhvillimin e gjuhës. Të rriturit që ndodhen rreth tyre janë burimet e para të gjuhës për një fëmijë, kështu që ju mund të shfrytëzoni çdo moment të mundshëm gjatë ditës për të përshkruar se çfarë jeni duke bërë. Përdorni një gjuhë të pasur dhe përdorni emrat e duhur për të emërtuar objektet.
Si munden foshnjat të shprehin atë që ndiejnë?
Edhe një foshnjë mund të komunikojë me ne. Ata do të mësojnë komunikimin me sy i cili është shumë i rëndësishëm për të nxitur zhvillimin e gjuhës. Ndaloni çdo gjë që jeni duke bërë për një moment dhe shikojini ata në sy, edhe pse duket e vështirë, përpiquni të mos i plotësoni fjalitë e tyre ndërkohë që ata mundohen të flasin.
Mos harroni të krijoni disa momente qetësie gjatë ditës – madje ndonjëherë mund të fikni edhe muzikën. Për ta mund të jetë shumë e vështirë të përzgjedhin tingujt e duhur dhe kjo gjë nuk do të ndihmonte në përvetësimin e gjuhës. Fëmijët kuptojnë shumë më tepër se sa mund të flasin. Gjithashtu ata arrijnë të perceptojnë më tepër se sa disa komanda të thjeshta. Ata duan të jenë të përfshirë në komunikimin e jetës së përditshme.
Për shpjegime më të thella të ideve të Dr.Montessori rreth zhvillimit të gjuhës, mund të lexoni librin e saj “Mendja përthithëse”. Citimet e mësipërme janë marrë nga (1995, fq. 174).