Me ardhjen e Pashkës ndihen edhe shenjat e para të stinës së verës. Brenda pak kohe toka rigjallërohet, çdo gjë rritet dhe lulëzon sërish (përfshirë edhe fëmijët) dhe papritur vjen Pashka duke na sjellë energjinë, optimizmin dhe të verdhën dominuese. Dhe pa dyshim ne ndihemi shumë të lumtur!
Siç e dini unë jam me origjinë nga Polonia. Në traditën time familjare ne festojmë Pashkën, e cila është festa më e rëndësishme fetare në të gjithë vitin liturgjik të krishterë. Këtë vit ne e festojmë Pashkën këtë të dielë më 21 Prill dhe jemi dyfish të lumtur sepse mamaja ime do të na vizitojë në Tiranë, kështu që kësaj here nuk do të shkojmë në Varshavë, por kjo nuk do të thotë që ne nuk do t’a festojmë Pashkën!
Përkundrazi! Është një periudhë kaq e bukur e vitit! E mbushur me paqe dhe pozitivitet. Fëmijët tanë kanë një javë pushim, kështu që kemi mjaftueshëm kohë për të qëndruar sëbashku, për të bërë aktivitete të ndryshme, për të gatuar dhe sigurisht të hamë sa vezë të duam! Në kulturën tonë ne kemi disa tradita polake mjaft interesante që zbatohen akoma, të cilat do të kisha shumë dëshirë t’i ndaja me ju.
Pisanki
Vezët, të cilat dominojnë tryezën e Pashkës simbolizojnë jetën dhe rilindjen. Vezët “Pisanki” të dekoruara me kujdes, prej shekujsh kanë zbukuruar tryezat polake në ditën e Pashkës. Pavarësisht se metodat e ngjyrosjes dhe të zbukurimit të vezëve kanë evoluar, tradita i ka rezistuar kohës. Modelet tradicionale të vezëve të Pashkës janë përgatitur me dyll të nxehtë të vendosur në levozhgën e vezës. Më pas vezët mbulohen me bojë dhe në fund dylli hiqet për të parë modelet që janë krijuar.
Kështu, vezët “Pisanki” marrin një formë më artistike, pavarësisht se mbeten po ato vezë pule si gjithmonë.
Në shtëpinë time ne e realizojmë këtë gjë në mënyrë tjetër. Në fillim i ngjyrosim vezët dhe më pas pikturojmë diçka në bojë. Vezët e ngjyrosura në këtë formë janë të ngrënshme, pasi boja që përdorim është ngjyrues ushqimor, madje-madje mund të jetë edhe ushqim. Ne mund t’i ziejmë vezët me lëkurën e qepës ose me panxhar dhe ato do të marrin një ngjyrë shumë të bukur. Lëkura e qepës do t’u japë një ngjyrë të verdhë vezëve ndërsa panxhari ngjyrë lejla. Një tjetër mënyrë për të dekoruar vezët është të ngjisim letra me ngjyra, pëlhura, madje edhe rruaza të vogla ose materiale të tjera sipas dëshirës për t’i bërë sa më të këndshme vezët! Tashmë mund të gjejmë edhe stikera të gatshëm, të cilat fëmijët mund t’i vendosin menjëherë në vezën e ngjyrosur të Pashkës.
Fëmijët e mi i adhurojnë këto aktivitete dhe janë gjithmonë të gatshëm të marrin pjesë!
Mëngjesi i Pashkës
Të dielën e Pashkës pas lindjes së diellit, e gjithë familja mblidhet për të ngrënë sëbashku. Në tryezë vendosen mbulesa të bardha dhe zbukurohet me vezët e Pashkës, ëmbëlsira në formë zogjsh, me pupla dhe gëzof ose lule të freskëta, të cilat krijojnë një atmosferë pranverore. Shporta me ushqimin e bekuar një ditë më parë ndodhet në qendër të tryezës. Mëngjesi i Pashkës fillon duke bashkëndarë vezët e bekuara, një traditë e cila është e ngjashme me domethënien simbolike të bashkëndarjes së meshës së Krishtëlindjes.
Në këtë mëngjes solemn, konsumohet fillimisht ushqimi i bekuar. Më pas vjen supa e lëngshme me thekër, mishi, proshuta, salca të ndryshme, dhe për ëmbëlsirë: babka (kek i ëmbël me maja), cheesecake dhe mazurek (tortë me një shtresë të madhe çokollate ose një krem dulce de leche të dekoruar me fruta të thata dhe arra).
Në traditën tonë familjare, fëmijët gjejnë ëmbëlsira dhe dhurata të vogla që lepuri i Pashkës i ka fshehur për ta nëpër shtëpi. Ata mezi presin të gjejnë çokollatat në formë lepuri, zogjtë apo qengjat prej sheqeri!
Përveç kësaj, ne organizojmë një gjueti vezësh. Kjo është një lojë e cila konsiston në fshehjen e vezëve të ngjyrosura në vende të ndryshme të shtëpisë, të cilat fëmijët duhet t’i gjejnë. Loja zakonisht zhvillohet jashtë, por mund të realizohet edhe brenda shtëpisë. Deri në fund të lojës fëmijët duhet t’i mbledhin vezët në një shportë. Kur gjuetia mbaron mund të jepen çmime të ndryshme duke vënë në dukje aftësitë që ata kanë treguar gjatë lojës.
E hëna e Pashkës
?migus–Dyngus – E hëna e lagur festohet ditën e dytë të Pashkës. Gjatë kësaj dite, njerëzit lagin njëri-tjetrin me ujë: të njohur dhe të panjohur. Kjo traditë vjen nga zakonet e vjetra pagane të lidhura me rigjallërimin e natyrës dhe si simbol i pastrimit pranveror nga papastëritë dhe sëmundjet. Vajzat të cilat lagen më shumë me ujë gjatë kësaj dite do të thotë që me shumë mundësi do të martohen së shpejti.
Në shumë fshatra në jug të Polonisë, spërkatja e fushave me ujë të bekuar të hënën e Pashkës është një traditë që vazhdon akoma. Shpesh shoqërohet me lojëra dhe hile të vogla në lagje, si ndërrimi i portave, vendosja e veglave bujqësore në çati ose fshehja e kovave të ujit.
Folklori dhe trashëgimia kulturore polake është mjaft e pasur dhe e veçantë. Prandaj e dua shumë!
Gëzuar Pashkën të gjithëve!