Metoda Montessori thekson edukimin e pesë shqisave përmes përdorimit në mënyrën e duhur të materialeve pedagogjike, fëmija në mënyrë progressive do të mësojë të njohë ngjyrat, vëllimet, format, peshat, aromat, tingujt e të tjera. Fëmija e zbulon mjedisin që e rrethon falë shqisave: sa më të rafinuara të jenë ato, aq më mirë do t’a perceptojnë botën në të cilën jeton. Tek të rriturit edukimi ndjesor është i vështirë, prandaj është e rëndësishme që ky edukim të fillojë që në hapat e parë të formimit në mënyrë që më vonë të përpunohet akoma më tepër.
Maria Montessori ka zhvilluar materiale ndjesore në mënyrë që të lejojë fëmijën të zhvillojë akoma më tepër shqisat duke u bazuar në aspekte të ndryshme:
– Të dallojnë perceptimet (duke i krahasuar ato)
– Të specifikojë klasifikimet dhe renditjet
– Të përgjithësojë, të konceptojë.
Përmes manipulimit, vizioni i realitetit bëhet më i saktë. Fëmija mëson të orientohet me saktesi më të madhe: Montessori pohon se në këtë mënyrë ai bëhet një vëzhgues më i vetëdijshëm dhe arrin të përceptojë më mirë detajet. Ne gjithashtu mund t’a ndihmojmë fëmijën të zhvillojë shqisat duke përshkallëzuar dhe duke e përshtatur stimulin përmes vendosjes së materialit specifik në mjedisin ku ndodhet ai.
Për më tepër, zhvillimi i shqisave mund të nxjerrë në pah ndonjë defekt, i cili shpesh zbulohet shumë vonë dhe për këtë arsye është më i vështirë për t’u korrigjuar, siç mund të jetë në dëgjim, në shikim…etj.
Ja çfarë thotë Maria Montessori:
“Ndjesitë e ndërthurura dhe zhvillimi i aftësive për të vlerësuar edhe ndryshimet më të vogla, bën që ndjeshmëria të rafinohet”. Bukuria gjendet tek harmonia dhe ne kemi nevojë për një finesë të caktuar ndjesore në mënyrë që t’a perceptojmë atë. Harmonitë estetike të natyrës dhe të artit nuk krahasohen me ndjeshmërinë e përgjithshme! Bota e fëmijës është më e vogël dhe pa përvojën e duhur. Në mjedisin tonë ka një numër të pafund burimesh që sjellin gëzimin e vërtetë, përpara të cilave njeriu kalon në mënyrë të pavetëdijshme, ashtu si kafshët, duke kërkuar për kënaqësi në ndjenja akoma më të forta, të cilat janë të arritshme për ta.
Qëndrimi ndaj veseve shpesh vjen nga kënaqësitë e mëdha: në të vërtetë stimuluesit më të fortë nuk e bëjnë më të mprehtë ndjeshmërinë, por zbutin shqisat dhe për këtë arsye kanë nevojë për stimuj akoma edhe më të fortë.”
Materialet ndjesore gjithashtu bëjnë të mundur që fëmija t’i përgjigjet periudhës së ndjeshme të rendit, përsa kohë që fëmija do të rendisë objekte në mënyrë të vazhdueshme, atëherë ai do të zhvillojë aftësitë e tij për t’u përqëndruar. Ky material gjithashtu i ndihmon ata të përmirësojnë fjalorin, veçanërisht shkallën krahasore dhe sipërore. Për shembull, fëmija do t’a gjejë veten duke duke përdorur terma si: më i butë, më i ashpër, më i lehtë, më i errët.
Së fundmi, zhvillimi i shqisave ndihmon shumë edhe në mësimin e leximit: në fakt, për të lexuar fillimisht fëmija duhet të mësojë të dëgjojë, dhe me veshin e stërvitur ai do të perceptojë më me lehtësi tingujt që mund t’i duken të ngjashëm, si për shembull dallimin e tingullit “m” dhe “n”. Për më tepër nëse fëmija e ka zhvilluar kujtesën dëgjimore, ai do t’I kujtojë të gjithë tingujt e gjuhës. Nëse shikimi i tij është i mprehtë, shkronjat që mund të duken të ngjashme, atij do t’i shfaqen shumë të ndryshme dhe kështu do t’i mbajë mend më lehtë.