Është java e 23 e shtatzanisë dhe tashmë mendoj se është koha e duhur për t’ju thënë të gjithëve se jemi në pritje të një fëmije! Po po, jam shtatzënë, dhe shumë shpejtë pritet të vijë në jetë fëmija i tretë. Jemi kaq të lumtur që një qënie e vogël dhe bukur do të bëhet pjesë e jona së shpejti!
Mendoj se ia vlen gjithmonë të bësh festë për një jetë të re, kështu që edhe ne po e presim me festë dhe gëzim anëtarin më të ri të familjes tonë.
Dua t’ju them se ndonëse kam lindur dy fëmijë ende jam e mrekulluar nga shtatzania.
Në fakt tingëllon e çuditshme ndoshta, por unë mrekullohem cdo herë e më tepër! Sepse ne rrisim qënie njerëzore. Ne sigurojmë vazhdimësinë e jetës. E çfarë tjetër mund të jetë më fisnike dhe më hyjnore se kaq?
Mund të them që ky fëmijë është me fat sepse që tani ka fansat e tij që mezi po e presin dhe kjo është vërtetë emocionuese për mua. Vëllai dhe motra po numërojnë ditët derisa motra e vogël të jetë në mesin e tyre. A nuk është e mrekullueshme?
Por dua t’ju them se ky fëmijë më ka bërë shumë më të qetë dhe më të heshtur se sa në shtatzanitë e mëparshme. Kalova 4 muaj me të përziera, shqetësime dhe netë pa gjumë dhe ndonëse e kisha kuptuar që isha shtatzënë, nuk i kisha thënë askujt një fjalë të vetme për këtë gjë. (Sigurisht përveç bashkëshortit dhe mamasë time.) Më dukej skur fjalët do të shkatërronin çdo gjë edhe njëherë tjetër. Madje –madje, tani që po e mendoj ende nuk e kam ndarë lajmin as me miqtë e mi më të ngushtë … e di që duket çmenduri, por është e vërtetë (dhe ju kërkoj ndjesë nëse ndonjëri nga ju po e lexon këtë!). Jo vetëm kaq por unë vendosa të mos e ndaj në rrjetet sociale as ekon 12 javëshe të shtatzanisë.
Ju me siguri po pyesni veten pse kam zgjedhur të veproj të kështu?
Pse po mbaj këtë qëndrim?
Sepse e vërteta është që vitin e kaluar unë përjetova një abort spontan. Për këtë arsye, kësaj here jam treguar më e kujdesshme dhe më e matur se sa në shtatzanitë e mëparshme. Një abort spontan mund të të ndryshojë! Të paktën përkohësisht. Pasi kalon një dhimbje të tillë nuk je më aq e guximshme si më parë, duket sikur të humbet vetëbesimin dhe në të vërtetë …nuk je më as naive. Ndihesh e lënduar, prekesh shpejt, bëhesh më e ashpër dhe në të njëjtën kohë më e kujdeshme. Unë të paktën kështu e kam përjetuar. Është një përvojë që të bën të ndihesh e trishtuar, të bën të ndihesh bosh si dhe humbet pak besimin në trupin tënd. Pavarësisht se po e ndaj historinë time me ju, më besoni kjo nuk është aspak e thjeshtë për mua. Aborti spontan mund të të venisë shpresën, është një humbje e madhe besimi, shprese dhe duket sikur nuk i beson më as të ardhmes.
Kur përjetova abortin spontan, unë u mbylla në vetvete, ndihesha si në hije, dhe vendosa ta ndaj historinë time vetëm me disa njerëz të afërt. Nuk është se po vuaja në heshtje thjeshtë doja të shërohesha, ta pranoja dhe të merrja veten dalëngadalë. Jo sepse doja ta mbaja sekret atq që qo pë jetoja po në atë moment ende nuk e ndieja veten gati të flisja për këtë gjë. Gjatë asaj kohe unë vendosa të mbyllem në vetvete njësoj si një breshkë e cila kërkon të gjejë mbrojtje nën guaskën e saj. Unë e di që njerëzit janë të ndryshëm dhe jo të gjithë kanë të njëjtin qëndrim ndaj dhimbjeve dhe gëzimeve që na sjell jeta.
Disa njerëz zgjedhin të dalin dhe ta ndajnë dhimbjen e tyre me të tjerët, ndërsa disa të tjerë bëjnë të kundërtën. Ata struken në strofullën e tyre dhe presin derisa sa çdo gjë të kalojë dhe të kthehet sërisht si më parë. Unë kisha zgjedhur këtë të dytën, kisha zgjedhur të shërohesha dalëngadalë vetëm me mbështetjen e disa miqve dhe familjarëve si dhe duke i hedhur në letër brengat dhe shqetësimet e mia.
Dhe më lejoni t’ju them që i gjithë procesi i abortit spontan nga fillimi në fund është diçka e tmerrshme të cilën nuk ia uroj askujt. Kjo eksperiencë më bëri t’i kuptoj dhe të kem dhembshuri për të gjitha ato që kanë pasur një histori të ngjashme me mua.
Po tani që jam sërisht shtatzënë, a nuk duhet të jem e lumtur? Sigurisht që po, por duhet thënë që ende jam shumë e kujdesshme, gati –gati mund të them e frikësuar. Madje për mua është kurajo e madhe edhe fakti që po i ndaj me ju këta rreshta, dhe nëse e kam të vështirë të flas dhe të shkruaj për këtë temë mendoni pak sa të vështirë e kam të përjetoj sërisht një shtatëzani tjetër.
Eksperienca që kalova ishte diçka e cila më vrau shumë shpirtërisht, ishte aq e dhimbshme sa vetëm pas kaq kohe jam në gjendje të flas hapur për të. Tani jam jashtëzakonisht më e matur dhe më e kujdesshme. Tani nuk jetoj më e lumtur në naivitetin tim, kësaj here jam me këmbë në tokë . Në fund të fundit, jam e ndërgjegjshme që çdo gjë mund të ndodhë edhe kësaj here.
E di që tingëllon pak e pazakontë mënyra se si po ju tregoj për shtatzaninë time sepse ky është një lajm i bukur dhe lajme të tilla janë të mbushura me emocione dhe entuziazëm. Janë të mbushura me lumturi. E di që kjo mund të ngjajë si një hije e errët në një ditë me diell, por jeta nuk është perfekte, as procesi i shtazanisë nuk është i tillë. Por sidoqoftë unë jam shumë entuziaste për foshnjën time. Dhe me kalimin e kohës unë e di që do të jem akoma dhe më shumë entuziaste. Është një proces i ngadaltë që po ecën me të njëjtin ritëm siç rritet e vogla ime brenda meje. Barku im që po rritet dita ditës bën që gjërat të duken edhe më reale. Duket sikur po na paralajmëron për një kapitull të ri, por siç e thashë më lart emocionet e mia duhet të ecin me të njëjtin ritëm si procesi i shtatzanisë.
Fakti që unë e kam bindur veten dhe tashmë jam e aftë të besoj se gjërat do të shkojnë mirë, për mua është një progres shumë i madh. Gjithçka duket më reale tani që vendosëm ta ndajmë lajmin me të tjerët. Njerëzit e parë me të cilët e ndamë lajmin ishin padyshim fëmijët tanë, të cilët u lumturuan pafund. Ishte një moment kaq prekës dhe emocionues! Më pas u treguam familjarëve dhe miqve të komunitetit tonë.
Por unë ende vazhdoja të isha e kujdesshme. Në javën e 20, të gjithë së bashku vajtëm për të bërë një vizitë mjekësore, falë Zotit çdo gjë ishte për mrekulli, fëmija jonë ishte i shëndetshëm dhe plot jetë. E ndieja të lëvizte, të shkelmonte, e ndieja që brenda meje kishte një jetë dhe vetëm atëherë unë mund të qetësohesha dhe të merrja frymë lirshëm!
Për më tepër ne vendosëm të bënim edhe një festë për zbulimin e gjinisë së bebit, ku do të ndanim lajmin me të gjithë të dashurit tanë. Më në fund isha aq e lumtur dhe ia dola të fitoj edhe njëherë tjetër besimin në vetvete!
Më parë nuk kisha bërë asnjëherë një set të mirëqenë fotosh gjatë shtatzanive të mëparshme, prandaj jam shumë e lumtur që kësaj here arrita ta realizoj, sepse me shumë mundësi mund të jetë shtatzania ime e fundit.
Ky set fotosh më bëri që unë të ndalesha për një çast, të kuptoja më mirë se çfarë po më ndodhte e ndërkohë që shikoj barkun tim mijëra pyetje dhe reflektime më lindin në kokën time. Um, hey, a jam unë kjo gruaja me barkun e madh,?!?!! Oh po, jam unë, jam shtatzënë … dhe është e vërtetë…
Me pak fjalë këto janë fazat e kësaj shtatzanie e cila ka qënë një udhëtim i ri dhe i pazakontë për mua… duke filluar që nga kujdesi e deri tek rritja e vetbesimit! Por kjo përvojë më ka bërë të mësoj më shumë për veten time, si grua, si mama, si dhe më ka bërë të reflektoj shumë për jetën në përgjithësi. Ndërkohë që po rritem qoftë në përmasa fizike, por edhe mendërisht, po përpiqem të jem më e hapur, me shpresën se historia ime ndoshta do t’i ndihmojë sadopak ata që po kalojnë të njëjtën situatë me mua. Unë nuk jam eksperte, thjeshtë po mundohem ti jap kuptim kësaj që po më ndodh dhe të ndaj me ju të pathënat, vështirësitë, por edhe të bukurat e gëzimin e shtazanisë gjithashtu.
Sigurisht gjatë kësaj kohe unë do të vazhdoj të kem sërisht shumë pyetje dhe shqetësime, por mendoj se është diçka normale. Pyetje të shumta do të lindin vazhdimisht në kokën time. A do jetë fëmija i shëndetshëm? Si do të shkojnë gjërat? Por, unë kam besim dhe do të jem shumë e lumtur kur më në fund do ta mbaj në krahët e mi. Ky është një kapitull i ri në jetën tonë. Një vit i ri dhe një fëmijë në shkurt! Po i shijoj jashtëzakonisht momentet qe po kaloj sidhe po e shfrytëzoj këtë periudhë për t’u përgatitur dhe për t’u lidhur akoma më shumë me njëra-tjetrën. Shpresoj që edhe ju ta shijoni këtë udhëtim sëbashku me mua.
Faleminderit që jeni pranë meje.
Me shumë dashuri!
Joanna
xxx