Do të futem menjëherë në temë për të diskutuar një çështje mjaftë delikate si për prindërit ashtu edhe për fëmijët – do të flasim për zemërimin, për shpërthimet e çastit.
Shpresoj që ky artikull të jetë sa më i vlefshëm për ju në mënyrë që të filloni t’i aplikoni parimet Montessori edhe në shtëpinë tuaj gjithashtu.
Si t’i menaxhojmë momentet e zemërimit
Shpërthimet emocionale janë një pjesë shumë normale në jetën e fëmijëve nga mosha 1 deri në 5 vjeç. Ne shpresojmë që të fillojnë pak më vonë se mosha 1 vjeç dhe të përfundojnë sa më shpejt, por në këtë fazë asgjë nuk shkon sipas pritshmërive tona. Fëmija juaj është duke mësuar se gjërat jo gjithmonë shkojnë ashtu siç duam. Dhe ne si prindër kemi për detyrë t’i ndihmojmë ata të kuptojnë se si t’i menaxhojnë këto emocione dhe si të përmirësohen.
Kjo mund të jetë diçka që e trishton vërtetë një prind. Ai e ka të vështirë t’a kuptojë se kur fëmija po i kërkon ndihmë atij. Fëmijët janë të trullosur dhe të ngarkuar emocionalisht dhe kanë nevojë për mbështetjen tuaj që të qetësohen. Nuk është momenti që ju t’a merrni si diçka personale. Nuk ka të bëjë me ju!
Si t’i shmangim këto momente shpërthimi
Ju mund t’i shmangni këto momente zemërimi përpara se fëmija juaj të humbasë kontrollin. Më poshtë mund të lexoni disa ide se si t’i evitoni shpërthimet e inatit sapo shikoni shenjat e para që fëmija juaj po humbet kontrollin.
- Jini të përgatitur – mbani një çantë të vogël me disa lojëra të thjeshta dhe disa ushqime të preferuara nëse dëshironi që fëmija juaj të tregohet i durueshëm ndërkohë që prisni në një konsultë mjekësore apo në kafene.
- Emërtoni ndjenjat e tyre – “Ti vërtetë do të dëshiroje të qëndroje më gjatë”; “Ti do të doje më tepër lëng portokalli tani!”
- Tregohuni të drejtpërdrejtë me ta – “Unë nuk mund të të lejoj që të godasësh vëllain tënd; por ti mund të godasësh këtë jastëk nëse dëshiron.”
- Uluni në nivelin e tyre– “Ti dukesh i zemëruar. Dëshiron të më tregosh?”
- Nëse ata po luftojnë me veten e tyre, ju mund t’i pyesni nëse kanë nevojë për ndihmë – jepuni atyre aq ndihmë sa u nevojitet dhe më pas largohuni.
- Jepuni fëmijëve mundësinë të zgjedhin – “A dëshiron të veshësh shallin apo këpucët në fillim?”
- Krijoni një rutinë – “Pas drekës, do të shkojmë në tualet, do të lexojmë një libër dhe më pas do të shkojmë të pushojmë pak.”
- Lërini t’a tregojnë zemërimin në mënyrë kreative – “Më trego se sa i nevrikosur je. Këtu ke një letër dhe një laps. Wow. Këta janë rrathë shumë të mëdhenj. Ti qënke vertetë i nevrikosur!”
Shkaqet
Shpesh gjërat mund të përshkallëzojnë deri në një shpërthim të fortë emocional. Ndonjëherë mund të ndodhë sepse ata janë të zhgënjyer, herë të tjera sepse janë të nervrikosur apo të zemëruar; ndonjëherë sepse duan të kenë çdo gjë vetë në kontroll; nuk arrijnë ende të komunikojnë siç duhet ose thjeshtë sepse janë të lodhur, të uritur ose tepër të ngarkuar. Ata mund të përplasen në dysheme, mund të të shtyjnë tutje, të godasin motrën, vëllain, ose një fëmijë tjetër, madje mund edhe të thyejnë ndonjë objekt.
Mund të jetë shumë e dobishme nëse ju shënoni të gjitha gjërat që shkaktojnë zemërim tek fëmija juaj: si për shembull një program ditor shumë i ngarkuar, kur një fëmijë vjen në jetën e tyre; zhvendosja në një shtëpi tjetër, ose ndoshta disa fëmijë të tjerë mund t’i nevrikosin ata. Ndonjëherë zemërimi mund të shkaktohet edhe në momentin kur ne u japim lajmin se është koha të largohemi nga parku, ose kur ne u shërbejmë një ushqim që nuk u pëelqen për darkë, ose-ose kur ne u kërkojmë atyre të bëhen gati për të dalë nga shtëpia.
Është shumë normale që fëmija juaj të ketë shpërthime të tilla zemërimi. Ju duhet t’a pranoni pakënaqësinë e tyre rreth një situate të caktuar. Në këtë rast është detyra jonë t’i ndihmojmë ata të bëjnë edhe atë që nuk u pëlqen. Nëse ju largoheni dhe i ndëshkoni ata, herës tjetër ju do të përballeni me një zemërim akoma më të madh.
Është e vështirë të jesh vetë prindi dhe të jesh i fortë përpara fëmijës tënd në një situatë të tilla. Por, bëni durim, puna juaj e palodhur, në fund do të shpërblehet. Ata do të mësojnë se kur ju thoni jo, është jo; dhe kur ju thoni po, është po :). Me pak fjalë, jini të vendosur!
Më pëlqen shumë një këshillë nga “Disiplina Pozitive: The Toddler Years”:
“Nëse thua po, thuaje me të vërtetë, dhe nëse e thua me të vërtetë, atëherë zbatojeni në mënyrë të sjellshme dhe të vendosur.”
Ju mund t’a vërtetoni këtë, duke u larguar nga parku për shembull, edhe pse ju e dini që ata do të kishin dëshirë të qëndronin më tepër.
Disa alternativa për të zëvëndësuar ndëshkimet – si t’a ndihmoni fëmijën të qetësohet?
Kur fëmija po kalon një moment zemërimi, disa ekspertë këshillojnë që t’a ndëshkojmë atë. Mua më duket e vështirë që pikërisht kur fëmija po kërkon ndihmë për t’u qetësuar, në vend që t’a mbështesim, ne e ndëshkojmë atë.
Kur ne i ndëshkojmë fëmijët tanë, ata më shumë nevrikosen me ne se sa ndihen në faj për atë që kanë bërë. Ose ata do të përpiqen të gjejnë një mënyrë që herës tjetër t’a çojnë deri në fund planin e tyre pa u rënë në sy prindërve.
Në fakt, në vend që t’i ndëshkoj ata, unë preferoj të gjej mënyra me të cilat mund t’i ndihmoj të qetësohen. Unë nuk po them se jam dakord me sjelljen e tyre, por kur ata janë në kulmin e nervave, nuk është ky momenti i duhur për t’u mësuar atyre çdo gjë të mundshme. Ata nuk do të të dëgjojnë. E kanë humbur kontrollin.
Kështu që le t’i ndihmojmë ata të qetësohen fillimisht
Ndodh që disa fëmijë i përgjigjen përqafimeve apo përkëdheljeve kur ata janë të zemëruar. Ju mund t’u fërkoni shpinën, t’i përqafoni, madje edhe t’u këndoni ndërkohë që ata kalojnë të gjithë gamën e emocioneve, duke filluar që nga zemërimi, frustrimi intensive, trishtimi dhe ndonjëherë keqardhja ose pendesa. Njëherë më ka ndodhur që e kam mbajtur djalin tim të përqafuar për 40 minuta sepse ai refuzonte të vishej. Dhe gjatë kësaj kohe unë e pashë atë teksa kalonte të gjitha këto emocione. Në fund ai tha se ishte gati të vishej, më tha që më donte dhe se nuk ishte i inatosur me mua. Ai ishte mirënjohës që kisha qëndruar aty me të.
E di që ndonjëherë ne nuk kemi kaq shumë kohë dhe duhet të largohemi, por në këtë rast ne thjeshtë ndërruam planet tona.
Nga ana tjetër, në të tilla raste ka fëmijë të cilët na shtyjnë tutje dhe nuk duan që askush t’i prekë. Në këtë rast, unë sigurohem që ata janë të sigurtë fillimisht, dhe që nuk do të lëndojnë veten e tyre apo të tjerët. Dhe u qëndroj pranë duke u ofruar ndihmën time, “Unë jam këtu për ty, nëse të nevojitet ndihmë për t’u qetësuar. Ose kur të jesh gati mund të përqafohemi.” Pas një shpërthimi emocional, mua më pëlqen t’u ofroj atyre një përqafim. “Ky ishte një moment vërtetë i vështirë dhe t’i ia dole të qetësohesh. A dëshiron të të përqafoj?”
Nëse gjatë shpërthimeve të tij emocionale fëmija i hedh lodra motrës, vëllait ose përpiqet të më godasë mua, atëherë unë do të zhvendosem në mënyrë që të gjithë të jemi të sigurtë. “Unë nuk mund të të lejoj të më godasësh. Siguria ime është e rëndësishme për mua. A dëshiron të godasësh këta jastekë më mirë?” Nëse e shikoni që ata mund të lëndojnë foshnjën që ndodhet aty pranë, ju mund të pozicionoheni fizikisht ndërmjet tyre në mënyrë që foshnja të jetë e sigurtë, ndërkohë që ju përpiqeni t’a qetësoni fëmijën tjetër.
Çfarë ndodh me fëmijët më të rritur?
Për fëmijët mbi 3 vjeç, ju mund të përgatisni një ambjent, “një vend të qetë”, të cilin ju mund t’a përdorni kur ata të jenë të mërzitur. Mund të jetë një tendë me disa jastekë dhe me gjërat e tyre të preferuara. Ose mund të jetë një qoshe me disa trena të vendosur aty. Nëse e shikoni që ata ndihen të mërzitur, ju mund t’i pyesni nëse dëshirojnë të shkojnë tek vendi i tyre.
Kjo nuk është një formë ndëshkimi, thjeshtë në këtë mënyrë fëmija mbahet nën kontroll; ai mund të dalë nga “vendi i tij i qetë” nëse ndihet më mirë. Nëse kthehet i zemëruar sërisht, ju, në mënyrë të sjellshme mund t’i thoni se ka nevojë të qetësohet akoma dhe mund të kthehet kur të jetë gati.
Të përmirësojmë sjelljen
Ndoshta ju mendoni se nëse unë e mbështes fëmijën tim ndërkohë që ai qetësohet, unë jam dakord me sjelljen e tij dhe në këtë mënyrë unë po e nxis atë akoma më tepër. Por kjo nuk është e vërtetë, sigurisht! Kur ata janë të mërzitur, objektivi im është t’i ndihmoj ata të qetësohen.
Sapo fëmijët të marrin veten, unë përpiqem t’i ndihmoj të përmirësojnë sjelljen e tyre. Nëse ata kanë vizatuar muret, unë do t’u kërkoj atyre të më ndihmojnë për t’i pastruar. Nëse kanë thyer lodrën e vëllait, ata do të më ndihmojnë t’a rregullojmë sërisht. Ka ndodhur që ju kam kërkuar fëmijëve që të më ndihmojnë të pastroj çarçafët kur ata kanë përdorur laspa me ngjyra ose markera në krevat dhe kanë bërë rrëmujë. Në këtë mënyrë ata mësojnë të marrin përgjegjësi kur gjërat nuk shkojnë mirë.
Dhe kur ka mbaruar, ka mbaruar.
Lajmi i mirë është se fëmijët e vegjël kalojnë menjëherë nga një zemërim i madh në një gjendje të lumtur. Prandaj, sapo ndodh kjo ne duhet t’a vazhdojmë ditën tonë normalisht dhe të mos lejojmë që kjo mërzitje të na shoqërojë gjatë gjithë ditës duke e përmendur më pas apo duke e kujtuar vazhdimisht.
Sapo sjellja e tyre është përmirësuar, të gjithë ne mund t’i vazhdojmë aktivitetet tona si gjithmonë.
FAQ’s
- A mos ndoshta thjeshtë duhet t’i injorojmë shpërthimet e tyre emocionale?
Mua nuk më pëlqen t’a injoroj një fëmijë kur ai po kalon një moment të vështirë emocional. Ata ndoshta nuk nuk do të më lejojnë t’i prek, por unë sidoqoftë do t’u ofroj mbështetjen time dhe do t’u bëj të qartë se jam aty për ta nëse kanë nevojë për mua. Nëse ju do të ishit shumë e mërzitur, e stresuar dhe partneri juaj thjeshtë largohet nga dhoma duke ju lënë t’a përballoni situatën e vetme, në këtë rast ju nuk do të ishit aspak një mbështetje për fëmijën e tuaj.
Ne duhet t’u tregojmë fëmijëve tanë se mirë apo keq, ne do të jemi aty për ta.
- Çfarë duhet të bëj nëse jam diku në një ambjent publik kur ata kalojnë një moment zemërimi?
Në parim ka dy mundësi:
- Shkoni në shtëpi – nëse e keni të vështirë që rreth jush të ketë njerëz që po ju shikojnë, gjëja më e mirë është që të largoheni. Ju mund të vendosni në makinë të gjitha blerjet tuaja dhe të ndiqni këshillat e mësipërme pasi të jeni në shtëpi.
- Ose mund të qëndroni aty dhe t’i mbështesni ata – opsioni im i preferuar është që të qëndroj aty dhe të bëj atë që duhet të bëj edhe pse nuk ndodhem në shtëpi. Nëse keni më shumë se një fëmijë me vete, sigurohuni që ata të jenë të sigurtë. Më pas ofrojuni sa më tepër ndihmë të mundeni në mënyrë që fëmija juaj të qetësohet. Mos u shqetësoni për njerëzit që po ju shikojnë përreth, me shumë mundësi ata do të mendojnë se sa prind i dashur dhe i durueshëm jeni më tepër se sa të vënë re zhurmën që po bën fëmija.
E kam të vështirë të jem e qetë. Çfarë duhet të bëj?
Nëse fëmija juaj ju ka nevrikosur shumë, atëherë është vërtetë e vështirë që t’i ndihmoni ata.
* Nëse partneri juaj ndodhet aty, do të ishte më mirë të ndërhynte ai në këtë rast.
* Ju mund të siguroheni që fëmija juaj është i sigurtë dhe më pas të shkoni në tualet dhe të merrni frymë thellë.
* Gjeni një mantra (një fjali të cilën mund t’a përsërisni), p.sh “Unë marr frymë e qetë, unë nuk marr frymë nga zemërimi”.
* Mos harroni që të mos e merrni si diçka personale. Ndoshta ju mund të përfytyroni sikur keni veshur një kostum antiplumb që mund t’i reszistojë gjithçkaje (përfshirë edhe fjalët) që fëmija drejton ndaj jush.
Këto këshilla do t’ju ndihmojnë të qëndroni të qetë dhe t’i jepni fëmijës tuaj mbështetjen që ata kanë nevojë për të fituar kontrollin. Shpresoj që t’ju ndihmojnë!