Skip to content Skip to footer

Nuk keni pse të jeni të trembur apo të stepeni për të shëtitur me fëmijët. Nuk ka nevojë të visheni bukur apo të bëni udhëtime të gjata. Gjithçka që duhet të bëni është të hidhni një hap jashtë derës së shtëpisë në mënyrë që të argëtoheni dhe të bëheni pjesë e një aventure!
Shumica e njerëzve kur mendojnë për ecjet në natyrë, menjëherë ju vjen në mendje një ekspeditë e cila përfshin veshje të bukura nga Northface, një bastun për të shëtitur, shishe të ftohta me ujë dhe një pip në gojë. Edhe pse këto lloj shëtitjesh mund të na dërgojnë në vende të mahnitshme, jo gjithmonë është e mundur që të ndërmerren me fëmijët.

Sidoqoftë ecja nuk ka pse të jetë gjithmonë në vende të largëta. Fëmijët thjeshtë mund të dalin jashtë dhe të shëtisin në lagjen e tyre!

Zgjidhni një ditë ose disa ditë në javë të cilat mund t’ia dedikoni plotësisht ecjeve në natyrë me familjen tuaj. Zgjidhni një kohë e cila është e përshtatshme për të gjithë familjen dhe kur fëmijët të mos jenë të lodhur apo të uritur. Gjithashtu sigurohuni që të mos keni asgjë tjetër për të bërë në mënyrë që fëmijët të kenë kohë të eksplorojnë. Shëtitjet tona në natyrë zakonisht ndodhin në fundjavë, gjatë ditëve të pushimeve ose në verë. Ne zgjedhim një ditë, kur unë dhe bashkëshorti im kemi kohë dhe pasi fëmijët të kenë ngrënë një mëngjes të shëndetshëm dhe të bollshëm në shtëpi ne marrim makinën dhe shkojmë tek Dajti Ekspres.

Të shkosh në Malin e Dajtit me teleferik është mënyra më e mirë për të shijuar pamjet fantastike. Ky teleferik është më i gjati në Ballkan 4.7 kilometra, që të mundëson një udhëtim panoramik, për vetëm 15 minuta, gjatë të cilit mund të shikosh pyjet, fermat, kodrat madje edhe bunkerët! Një pamje piktoreske e mrekullueshme e cila nuk duhet humbur! Ky eksperiencë është emocionuese për fëmijët sepse gjatë udhëtimit me teleferik duket sikur po qëndron pezull në qiell në mes të askundit – ndërmjet pamjeve të Tiranës, të cilat bëhen gjithmonë e më të largëta ndërkohë që lëviz me teleferik për të shkuar në majën e malit dhe për të shijuar gjelbërimin e mrekullueshëm.

Në më pak se 20 mnuta ne arritëm në kodër me një ajër të pastër dhe dhe një peisazh mbresëlënës. Sapo arrin në Dajt, ti ke gjëra pa fund për të bërë.

Një nga aktivitet që duhet të bëni patjetër është të provoni Mini Golfin, një fushë shumë e bukur me 18 vrima në të, e përshtatshme për fëmijë dhe të rritur. Sipërfaqja e fushës duket si një tapet me pengesa artificiale si tunele, tuba dhe me shpate ose pjerrësi. Kostoja e një kursi të plotë është 700 lekë për të rriturit dhe 500 lekë për fëmijët, një çmim shumë i arsyeshëm duke marrë parasysh vendndodhjen, pastërtinë dhe organzimin e shkëlqyer.

Është vendi ideal për të qëndruar sëbashku, për t’u lidhur më shumë  me njëri-tjetrin dhe për t’u shkëputur pak nga vrulli i jetës moderne.

Një tjetër gjë që duhet bërë patjetër në majën e Malit të Dajtit, është Dajti Adventure Park,i vetmi park me aventura ne Shqipëri i cili është inaguruar në 2017. Ky park synon të tërheqë jo vetëm njerëzit aventurierë, por gjithashtu edhe familjet për sa kohë, që ofrohen argëtime për fëmijë dhe të rritur. Aktivitete të tilla si zip lining (zvarritje me zinxhirë) dhe kalimi përmes urave me litarë konsiderohen si një nivel i moderuar dhe mund të marrin pjesë të gjitha moshat.

Jam e sigurtë që ne të gjithë i kemi provuar këto aktivitete emocionuese si: të ngjitemi nga pema në pemë, në shkallë, në rrjeta, kemi ecur mbi ura të cilat qëndrojnë pezull, trungjë lëkundëse, zip lining madje edhe kemi rrëshkitur gjatë tentativave për të bërë ski! Dhe i kemi shijuar sigurisht! Por kemi qënë të pajisur me një parzmore, helmet, dhe pajisje të nevojshme sigurie. Guidat turistike të Dajti Adventure Park na treguan rreth pajisjeve që duhet të përdornim dhe si të manovronim nëpër pengesa. Linjat e udhëtimit variojnë në lartësi dhe në vështirësi kështu që ju mund të zgjidhni se sa lart dhe sa larg dëshironi të udhëtoni dhe të zvarriteni me zingjirë.
Kjo aventurë në park është një aktivitet sfidues në natyrë për familjet dhe të rinjtë, në të cilën ju mund të testoni forcën fizike dhe psikologjike si dhe fleksibilitetin. Unë do t’a rekomandoja për familje me fëmijë jo më të vegjël se 3,5 vjeç (për itinerare të lehta dhe jo shumë të larta), deri në moshat mbi 100 vjeç nëse gjendja e tyre shëndetsore është e mirë.

Të ecësh në male

Përveç këtyre aktiviteteve që në dukje janë pak sfiduese dhe të rrezikshme, ka edhe një aventurë tjetër e cila është e thjeshtë, e sigurtë dhe është falas të cilën mund t’a praktikoni në male – ju thjeshtë mund të ecni! Po si t’i bindim fëmijët që është argëtuese?

Bëjini ecjet tuaja të duken diçka e rëndësishme dhe tregojuni fëmijëve se sa të emocionuar jeni dhe mezi po prisni të dilni shëtitje. Ndërkohë që jeni në shtëpi, ndihmojini ata të përgatisin një çantë të vogël me disa artikuj të domosdoshëm për ecje (çanta e fëmijëve të mi përmban ujë, një xham zmadhues dhe një elektrik që vendoset në kokë për shëtitjet e dimrit).

Gjeni gjëra interesante në lagjen tuaj të cilat mund të jenë destinacione të këndshme për t’u vizituar.

Udhëtimet tuaja jo domosdoshmërisht duhet të jenë në vende kaq të largëta.

Kur ne filluam të bënim ecje dhe vajza jonë ishtë ende e vogël, eskursionet tona ishin deri tek një mace që jetonte në lagjen tonë. Kur ne u familjarizuam me atë distancë, më pas zbuluam një qen miqësor, i cili ndodhej pak më larg dhe u bë destinacioni jonë i ri. Që atëherë ne kemi zbuluar disa gjëra të tjera interesante ne lagje dhe ne vendosëm që të shëtisnim sëbashku për t’i vizituar këto destinacione. Në këtë formë fëmijët mund t’i vendosin vetes synime dhe pritshmëri.

Një tjetër destinacion të cilin e vizitojmë sëbashku, është një pemë e madhe në të cilën mund të shikojmë lloje të ndryshme insektesh. Për më tepër në lagjen tonë ndodhet edhe një shkëmb i madh ku mund të praktikojmë disa teknika për t’u ngjitur në mal. Atje ka edhe një park qëndror ku ne kemi bërë disa miq të rinj.

Mos u shqetësoni shumë për destinacionin

Është e vërtetë që pak më lart e përmenda faktin se të kesh një destinacion i ndihmon fëmijët të jenë të motivuar, por sigurohuni që ata të kenë mundësi të eksplorojnë. Foshnjat dhe parashkollorët shpërqëndrohen shumë lehtë. Ndonjëherë, një shkëmb ose një pemë do t’u tërheqë vëmendjen dhe ata do të duan të ndalojnë për të luajtur ose për të eksploruar. Në këtë rast ju mund t’u kërkoni me mirësjellje që të vazhdojnë të ecin, por mos i detyroni ata dhe përpiquni të ruani durimin. Ju thjeshtë do të nervozoheshit dhe fëmijët nuk do të kishin më dëshirë të vazhdonin shëtitjen. Nëse ndodh që një fëmijë ndalon dhe refuzon të ecë, atëherë qëndroni aty! Lëreni të eksplorojë çdo gjë interesante që mund të gjejë në atë vend derisa të ndihet i kënaqur. Nëse më pas sërisht nuk dëshiron të vazhdojë shëtitjen, atëherë kthehuni në shtëpi dhe provojeni një herë tjetër.

Lërini telefonat në shtëpi.

Kur ne bëjmë ecje në natyrë, duhet të përpiqemi që të qëndrojmë larg celularëve. Sigurisht që një i rritur zakonisht mban një telefon me vete për raste emergjence dhe për arsye sigurie, por duhet t’a mbajë të fshehur në çantën e shpinës ose në xhep dhe nuk duhet të përdoret gjatë ecjeve. Shëtitjet tona janë momente të cilat duhet t’i kalojmë me familjen, në mënyrë që të lidhemi më tepër me njëri-tjetrin. Për më tepër ti asnjëherë nuk mund t’a dish se kur një fëmijë parashkollor do të të japë dorën dhe do të të tregojë se si e ka kaluar ditën. Nëse ju jeni të shpërqëndruar, ata do të merren me diçka tjetër dhe ju do të humbisni një pjesë të rëndësishme të ditës së fëmijës. Shëtitjet tona zakonisht zgjasin 15 deri në 45 minuta kështu që çdo gjë tjetër mund të presë.

Siguria është e para

Si gjithmonë, kur shëtisim, gjëja më e rëndësishme është siguria. Vendosni disa rregulla kryesore të cilat janë të lehta për t’u zbatuar nga fëmijët. Ne kemi këto rregulla të cilat kemi dëshira t’i ndajmë me ju:

  • Fëmijët nuk duhet të vrapojnë dhe të largohen shumë nga prindërit.
  • Duhet të ndaloni menjëherë kur ju kërkohet.
  • Të gjithë fëmijët duhet të mbajnë dorën e një të rrituri kur kalojnë rrugën.

Ne gjithashtu përpiqemi t’i shmangim rrugët kryesore dhe mundohemi të gjejmë vende më të qeta dhe më pak të ndotura. Përpara se të dalim nga shtëpia gjithmonë i përsërisim rregullat tona, për t’u siguruar që fëmijët nuk i kanë harruar. Nëse ndonjë fëmijë refuzon t’i zbatojë rregullat edha pasi është paralajmëruar disa herë, ai fëmijë duhet të kthehet në shtëpi me njërin prej të rriturve. Më është dashur t’a bëj këtë për t’ju treguar atyre se sa e rëndësishme është të zbatosh rregullat.

Mos harroni të argëtoheni!

Qëllimi kryesor i ecjeve tona është të eksplorojmë, të ushtrohemi dhe më e rëndësishmja të bëjmë qejf. Përdorni imagjinatën gjatë shëtitjeve tuaja dhe bëni sikur po gjuani dinosaurë ose sikur po arratiseni nga krokodilët. Lëreni imagjinatën e fëmijëve të fluturojë në vende të largëta si xhungël apo shkretëtira dhe ju thjeshtë ndiqini.

Kështu do të bëheni pjesë e një aventure të bukur!

Leave a comment

0.0/5

Le të qëndrojmë në kontakt!

Regjistrohu për të marrë lajme dhe informacione mbi kurset dhe ofertat e ardhshme.

Mom’s Joyful © 2024. Të gjithë të drejtat e rezervuara. Zhvilluar nga Torkhan Digital Agency

Subscribe for my updates!